Euro arrin minimum të ri historik pranë 91.5 lekëve
Euro u këmbye me 91.54 lekë, niveli më i ulët historik, duke humbur 5.5% që nga fillimi i vitit.
Kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut e mbylli edhe këtë javë në rënie. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 91.54 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Kursi i këmbimit të Euros me Lekun ka rënë me 5.5% që prej fillimit të vitit dhe afërsisht në të njëjtën masë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rënia e Euros po vazhdon pa ndërprerje edhe gjatë muajit shtator, një tendencë jo e zakonshme krahasuar me ecurinë historike të kësaj periudhe. Në përgjithësi, pas gjysmës së dytë të gushtit dhe gjatë shtatorit, kursi i Euros ka shfaqur tendencë stabilizimi, pas pikut të zhvlerësimit sezonal.
Sezoni turistik zgjatet edhe në shtator
Këtë vit, rënia po vazhdon edhe gjatë shtatorit. Agjentët e tregut mendojnë se zhvlerësimi mund të shpjegohet pjesërisht me zgjatjen e sezonit turistik dhe një fluks më të madh pushuesish nga jashtë edhe gjatë këtij muaji. Në përgjithësi, turizmi është bërë më i shpërndarë gjatë vitit, ndërsa perceptohet edhe një rritje e numrit të vizitorëve të huaj për forma të tjera turizmi, si ai mjekësor.
Megjithatë, zhvlerësimi i vazhdueshëm i Euros duket se nuk mund të shpjegohet vetëm me faktorët sezonalë, por edhe me presione më të qëndrueshme mbi kursin e monedhës europiane. Një ndikim të rëndësishëm vlerësohet të kenë investimet nga jashtë në pasuri të paluajtshme, sektor që prej disa vitesh po dominon investimet e huaja direkte.
Deficiti i llogarisë korrente bie me 40.6 për qind
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë një përmirësim të ndjeshëm të Bilancit të Pagesave, të paktën deri në mesin e këtij viti. Në gjashtëmujorin e parë 2026, deficiti i llogarisë korrente ra në 361 milionë euro, ose 40.6% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Deficiti i llogarisë korrente për gjashtëmujorin shënoi
njëkohësisht nivelin më të ulët që prej vitit 2018.
Ulja e deficitit ka ardhur kryesisht nga rritja e eksporteve të shërbimeve dhe nga remitancat. Bilanci në tregtinë e shërbimeve ishte pozitiv në vlerën e afërsisht 1.79 miliardë eurove, në rritje me 12.9% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar. Më shumë se gjysma e kontributit në sektorin e shërbimeve erdhi nga turizmi, që në gjashtëmujorin e parë të vitit i solli ekonomisë të ardhura neto prej 957 milionë eurosh, në rritje me 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Investimet e huaja direkte arrijnë në 1.144 miliardë euro
Efekt shtesë në bilancin e përgjithshëm duket se ka dhënë edhe rritja e fortë e investimeve të huaja direkte. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në tremujorin e dytë 2026, vlera e investimeve të huaja direkte arriti në 741 milionë euro, në rritje me 86% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo rritje u ndikua ndjeshëm nga flukset e lidhura me një projekt të rëndësishëm zhvillimi në sektorin e pasurive të paluajtshme. Për të gjithë gjashtëmujorin e parë, vlera e përgjithshme e investimeve të huaja direkte arriti në 1.144 miliardë euro, me një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Suficiti buxhetor arrin në 50.7 miliardë lekë
Një efekt shtesë mbi kursin e këmbimit duket se po ushtron edhe suficiti i lartë fiskal, që po ul ofertën e Lekut në treg. Për shtatëmujorin 2026, buxheti ishte në suficit në vlerën e 50.7 miliardë lekëve, në rritje me 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)