Secondary Adv

Ibrahimaj: Çmimet e ushqimeve mbi mesataren e rajonit, forcimi i lekut duhej të sillte ulje

Delina Ibrahimaj kërkon më shumë transparencë për çmimet, ndërsa vijon puna për nismën “Pasqyra e Çmimeve”.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në takimin me përfaqësues të supermarketeve dhe furnitorëve, bëri të ditur se vijon puna për përfundimin e nismës “Pasqyra e Çmimeve”, e cila synon të rrisë transparencën dhe t'u japë konsumatorëve informacion mbi nivelin e çmimeve në vend, deri në nivel produkti.


Gjatë fjalës së saj, Ibrahimaj u ndal te niveli i çmimeve të produkteve ushqimore, të cilat sipas saj janë mbi mesataren e vendeve të rajonit. Ministrja ngriti gjithashtu çështjen e zhvlerësimit të euros dhe forcimit të lekut, duke argumentuar se kjo duhej të ishte reflektuar në uljen e çmimeve të mallrave të importuara që bëjnë pjesë në shportën e konsumatorëve.


“Forcimi i lekut duhet të kishte ndikuar në reduktimin e çmimeve”

“Në vitet e fundit, ne të gjithë bashkë kemi parë, kemi diskutuar dukuri të cilat duhet të kishin ndikuar në reduktimin e çmimeve. Për shembull, nënvlerësimi i euros, mbivlerësimi i lekut, pra forcimi i lekut duhet të kishte ndikuar domosdoshmërisht në një reduktim të çmimeve, duke qenë se minimalisht 40% e produkteve të shportës importohen.


Që do të thotë që për ne, për konsumatorët shqiptarë, nga momenti që leku është më i fortë, ato produkte duhet të jenë pak më të lira. Sigurisht që besoj që ka arsye pse kjo nuk ka ndodhur, por për ta kuptuar më mirë këtë dukuri, ne duhet të kuptojmë se çfarë ndodh, ku dhe pse çmimet vazhdojnë të rriten në vend.


Çfarë ndodh kur duhet të ulen për shkak të forcimit të lekut, për shkak të zhvillimeve pozitive në ekonominë shqiptare? Pse këto zhvillime pozitive nuk transferohen te konsumatorët?


Unë, për analizë, iu referova raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë, i cili tregon se inflacioni i importuar në gjashtëmujorin e parë të vitit ka qenë në rënie, që do të thotë që janë produktet vendase që janë më të shtrenjta. Po pse janë ato më të shtrenjta? Kush është hallka e zinxhirit që i rrit ato?”, tha Ibrahimaj.


“Pasqyra e Çmimeve” për transparencë, analizë dhe monitorim

Sipas Ibrahimajt, qëllimi i nismës është rritja e transparencës, analizimi dhe monitorimi i çmimeve. Ministria e nisi procesin duke kërkuar nga rrjetet kryesore të supermarketeve një listë të produkteve më të shitura, ku përfshihen produktet ushqimore të shportës dhe produktet e higjienës që përdoren më shumë nga konsumatorët shqiptarë.


“Kërkuam që të kishim një alternativë të çmimeve të produkteve që prodhohen në vend dhe një alternativë të produkteve që importohen, me qëllim që të dyja kategoritë e produkteve t’i bënim transparente dhe t’i analizonim.


U la kohë e mjaftueshme. Unë jam e bindur që të gjitha supermarketet e kanë mundësinë për ta nxjerrë këtë listë me produktet më të shitura për një orë. U lanë këto dy javë dhe vetëm një nga rrjetet e supermarketeve ktheu përgjigje për këtë listë, ndërkohë që në tryezë ishin dakord, sepse është një nismë që është pozitive, që stimulon konkurrencën”, tha ministrja.


Ibrahimaj theksoi se modele të ngjashme janë zbatuar edhe në vende të tjera europiane. “Është një nismë që nuk bëhet në Shqipëri për herë të parë. Është bërë në Greqi, është bërë në Itali, është bërë në Spanjë, në Portugali, në Hungari. Pra, kemi marrë modelet e vendeve të tjera. Nuk po bëjmë asgjë që nuk ndodh në një vend tjetër dhe të gjithë ramë dakord që, sigurisht, stimulon konkurrencën. Nuk erdhi përgjigje”, u shpreh ajo.


Propozim për produkte me fitim minimal ose zero

Ministrja bëri të ditur se me një numër më të reduktuar supermarketesh është diskutuar edhe një nismë tjetër, duke ndjekur shembullin e Greqisë. Propozimi parashikon përcaktimin e një liste produktesh me vlerë të ulët, të dedikuara për shtresat në nevojë, të cilat supermarketet do të angazhoheshin t'i shisnin me fitim minimal ose zero, duke i mbajtur çmimet të fiksuara për një periudhë deri në fund të vitit.


“Dhe për këtë listë, vetëm një nga subjektet, i njëjti subjekt në fakt që solli listën e parë, solli dhe listën e dytë.


Ndërkohë që unë besoj që ne jemi të gjithë për një qëllim dhe duhet që, përveçse qëllimit të fitimit, kompanitë patjetër të mendojnë edhe për mbrojtjen e konsumatorit, edhe për të mirën publike, në kushte kur kemi çmime të rritura dhe kemi çmime mbi mesataren e vendeve të rajonit”, tha Ibrahimaj.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat