Secondary Adv

Formalizimi i punës mbetet i kushtueshëm në Ballkanin Perëndimor

Kalimi nga puna informale në një deklarim të plotë mund të sjellë kosto të larta për familjet me të ardhura të ulëta në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se në disa vende të rajonit, për punonjësit me paga të ulëta, 70-80% e përfitimit financiar nga formalizimi mund të humbasë për shkak të përfshirjes në tatimeve, të tilla si kontribute dhe reduktimi i ndihmave sociale.


Banka Botërore e mat koston e formalizimit me treguesin Formalization Tax Rate (FTR). Për shembull, një FTR prej 80% do të thotë se një pjesë shumë e madhe e të ardhurave shtesë duke kaluar në punë të deklaruar humbet nga detyrimet e reja.


Në Shqipëri kosto e formalizimit të punësimit është me lartë në pagat e ulëta. Sipas simulimeve të Bankës Botërore, FTR mund të arrijë në rreth 80% për nivelet më të ulëta të të ardhurave. Me rritjen e pagës, kjo kosto ulet ndjeshëm dhe zbret në afërsisht 40%. Një person me pagë shumë të ulët ka më pak interes financiar për t’u deklaruar sesa një person me pagë më të lartë, pasi formalizimi mund t’i sjellë njëkohësisht pagesën e kontributeve dhe humbjen e një pjesë të kompensimeve.


Në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës, kostoja e formalizimit është e lartë për pagat e ulëta, por kur të ardhurat rriten, mbetet sërish 50%. Kjo është ndër nivelet më të larta të rajonit për punonjësit me paga më të larta.


Në Republikën Srpska, FTR ulet gradualisht dhe stabilizohet rreth 45%. Pra, edhe këtu një pjesë e konsiderueshme e përfitimit nga kalimi në punë formale humbet përmes tatimeve, kontributeve dhe ndryshimit të përfitimeve sociale.


Në skemën ekzistuese, Kosova gjithashtu shfaq një kosto shumë të lartë të formalizimit për të ardhurat e ulëta, e cila në disa nivele i afrohet 80-90%. Me rritjen e pagës, treguesi bie deri në rreth 30% në nivelet më të larta të pagave. Por Kosova ka nisur edhe një ndryshim të rëndësishëm. Në vitin 2024 u pilotua një reformë e ndihmës sociale, ku përfitimet nuk ndërpriten menjëherë sapo familja fillon të fitojë të ardhura nga puna, por reduktohen gradualisht.


Edhe në Mal të Zi kostoja e kalimit në punë formale është shumë e lartë në nivelet e ulëta të pagave, duke ju afruar nivelit 80%. Por ndërsa paga rritet, ajo bie dhe stabilizohet rreth 40%. Problemi i dekurajimit nga formalizimi është më i fortë për personat që hyjnë në tregun e punës me paga të ulëta.


Në Maqedoninë e Veriut, FTR është gjithashtu i lartë për të ardhurat më të ulëta, por bie me rritjen e pagës. Në nivelet më të larta të pagave të analizuara, treguesi arrin afërsisht 35-40%.


Serbia ka një profil disi të ndryshëm. Në nivelet më të ulëta të të ardhurave, treguesi nis më poshtë se në shumicën e vendeve të tjera, por më pas rritet. Për një pjesë të madhe të shkallës së pagave, kostoja e formalizimit qëndron afërsisht në 45-50%. Edhe pasi të ardhurat rriten, punonjësi mund të humbasë pothuajse gjysmën e përfitimit financiar që do të kishte nga kalimi nga puna informale në atë të deklaruar.


Sipas Bankës Botërore, kur një punonjës formalizohet, ai jo vetëm fillon të paguajë detyrimet, por familja mund të humbasë menjëherë edhe përfitime sociale.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat