Shqipëria, e 14 në botë për rritjen e PBB reale për frymë në 35 vite
Shqipëria renditet e 14-ta në botë për rritjen e PBB-së reale për frymë gjatë 35 viteve të fundit.

Shqipëria renditet ndër ekonomitë që kanë shënuar rritjen më të shpejtë të PBB-së reale për frymë gjatë 35 viteve të fundit. Sipas një renditjeje të Visual Capitalist, bazuar në të dhënat e Bankës Botërore dhe të korrigjuara për inflacionin dhe fuqinë blerëse, PBB-ja reale për frymë e Shqipërisë është rritur 309% nga viti 1990 deri në 2025, duke kaluar nga rreth 5,600 dollarë në 22,700 dollarë me paritet të fuqisë blerëse (PPP). Me këtë ecuri, Shqipëria renditet e 14-ta në botë për ritmin e rritjes gjatë kësaj periudhe.
Krahasimi me Maqedoninë e Veriut nxjerr në pah edhe më qartë ritmin e konvergjencës. Në vitin 1990, PBB-ja reale për frymë në Maqedoninë e Veriut ishte 12,900 dollarë, më shumë se dyfishi i nivelit të Shqipërisë. Në 2025 ajo arriti në 25,100 dollarë, me një rritje prej 94%, duke e renditur vendin në vendin e 71-të në botë. Shqipëria mbetet ende poshtë saj në nivel absolut, me rreth 2,400 dollarë më pak për frymë, por hendeku është ngushtuar ndjeshëm: ndërsa në 1990 Maqedonia e Veriut kishte një PBB për frymë rreth 2.3 herë më të lartë, në 2025 diferenca është vetëm rreth 11%.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se Shqipëria ka ecur shumë më shpejt se mesatarja globale. PBB-ja reale për frymë në botë është rritur nga 11,300 dollarë në 1990 në 21,900 dollarë në 2025, ose me 94%. Kjo do të thotë se Shqipëria, e cila 35 vjet më parë kishte një nivel sa rreth gjysma e mesatares botërore, në 2025 rezulton me 22,700 dollarë, lehtësisht mbi nivelin global prej 21,900 dollarësh.
Në krye të renditjes botërore qëndron Guajana, ku PBB-ja reale për frymë është rritur me 1,549%, nga rreth 5,100 dollarë në 1990 në 83,700 dollarë në 2025. Rritja e jashtëzakonshme lidhet kryesisht me zhvillimin e industrisë së naftës në det të hapur. Prodhimi i naftës nisi në vitin 2019 dhe arriti në rreth 225 milionë fuçi gjatë vitit 2024, duke transformuar ekonominë e një vendi me më pak se një milion banorë.
Në vendin e dytë renditet Kina, ku PBB-ja reale për frymë është rritur me 1,404%, nga vetëm 1,700 dollarë në 1990 në 25,100 dollarë në 2025. Sipas Bankës Botërore, afro 800 milionë njerëz janë nxjerrë nga varfëria ekstreme në Kinë gjatë katër dekadave të fundit, duke përfaqësuar gati tre të katërtat e reduktimit global të varfërisë ekstreme.
Azia zë një pjesë të madhe të vendeve me rritjen më të shpejtë. Përveç Kinës, Vietnami ka shënuar rritje prej 526%, India 369%, Bangladeshi 319% dhe Koreja e Jugut 287%. Sipas analizës, vendet aziatike përbëjnë pothuajse gjysmën e 25 ekonomive me rritjen më të shpejtë, të mbështetura në shumë raste nga industrializimi dhe zgjerimi afatgjatë i tregtisë.
Në listën e ekonomive europiane spikat edhe Bosnjë-Hercegovina, e cila renditet e katërta në botë me rritje prej 777%, nga 2,400 dollarë në 1990 në 21,200 dollarë në 2025. Irlanda renditet e 11-ta, me rritje prej 345% dhe PBB për frymë prej 131,300 dollarësh, megjithëse analiza nënvizon se treguesi irlandez ndikohet ndjeshëm nga aktiviteti i kompanive shumëkombëshe; të ardhurat kombëtare bruto për frymë rezultojnë rreth 30% më të ulëta.
Ndër ekonomitë e zhvilluara, Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e 88-të, me një rritje të PBB-së reale për frymë prej 73% nga 1990 në 2025, duke arritur në 76,900 dollarë. Megjithatë, kjo është rritja më e lartë mes vendeve të G7. Në të njëjtën periudhë, PBB-ja për frymë u rrit me 61% në Mbretërinë e Bashkuar, 48% në Gjermani, 43% në Kanada dhe Francë dhe 34% në Japoni.
Të dhënat evidentojnë se ritmet më të mëdha të rritjes gjatë 35 viteve të fundit nuk janë regjistruar kryesisht në ekonomitë më të pasura, por në vende që nisën nga baza shumë më të ulëta dhe kaluan periudha të forta industrializimi, integrimi tregtar ose, në disa raste, përfituan nga zbulimi dhe shfrytëzimi i burimeve natyrore. Për Shqipërinë, renditja tregon sidomos shpejtësinë e konvergjencës nga një bazë shumë e ulët, ndërsa niveli absolut i të ardhurave për frymë mbetet treguesi që duhet parë veçmas nga përqindja e rritjes.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)