KPP rrëzon ankesën për stacionin hekurudhor të Rinasit, hapet rruga për vijimin e tenderit
Komisioni i Prokurimit Publik ka rrëzuar ankesën për tenderin e stacionit hekurudhor të Aeroportit të Rinasit, duke i hapur rrugë Hekurudhës Shqiptare për të vijuar procedurën e prokurimit.
Kontrata ka një fond limit prej 91.7 milionë lekësh pa TVSH, ose rreth 960 mijë euro.
Objekti i kontratës përfshin hartimin e projektit të detajuar inxhinierik dhe arkitektonik, si dhe ndërtimin e godinës së stacionit, duke u realizuar sipas formulës projektim-ndërtim “çelësa në dorë”.
Në vendimin e datës 16 shtator, KPP përcaktoi “të mos pranojë ankesën” e operatorit ekonomik, ndërsa “autoriteti kontraktor lejohet të vijojë me hapat e mëtejshëm të procedurës së prokurimit”.
Operatori ankimues kishte paraqitur një ofertë prej 76.6 milionë lekësh, por ishte skualifikuar. Operatori i shpallur fitues paraprak kishte ofruar 81.1 milionë lekë, ndërsa një tjetër ofertues i kualifikuar kishte paraqitur një ofertë prej rreth 87 milionë lekësh.
Mosmarrëveshja lidhej me mënyrën se si operatori ankimues kishte deklaruar mbështetjen në kapacitetet e subjekteve të tjera për përmbushjen e kërkesave mbi licencat profesionale dhe stafin teknik. KPP vlerësoi se dokumentacioni “nuk plotëson kërkesat e autoritetit kontraktor dhe nuk mund të konsiderohet i vlefshëm”, duke arritur në përfundimin se pretendimi i operatorit “nuk qëndron”.
Stacioni do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 6,287 metrash katrorë
Stacioni hekurudhor i Rinasit do të zhvillohet në një sipërfaqe prej rreth 6,287 metrash katrorë, ndërsa godina do të ketë një sipërfaqe prej rreth 260 metrash katrorë. Projekti parashikon salla pritjeje, sportele dhe makina automatike për bileta, ambiente shërbimi, sisteme sigurie dhe hapësira parkimi.
Dokumentacioni kërkon që objekti të projektohet si një “stacion i gjelbër”, me masa për eficiencën energjetike, ndriçim natyral, panele fotovoltaike dhe sisteme për mbledhjen e ujërave të shiut.
Pjesë e linjës Tiranë-Durrës dhe degëzimit drejt Rinasit
Stacioni është pjesë e projektit më të gjerë për rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e degëzimit drejt Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Projekti përfshin rreth 40 kilometra linjë hekurudhore dhe synon që udhëtimi mes Tiranës dhe aeroportit të zgjasë rreth 12 minuta, ndërsa ai mes Tiranës dhe Durrësit rreth 22 minuta.
Sipas dokumenteve zyrtare, nisja e shërbimit për pasagjerët parashikohet në fund të vitit 2027, ndërsa realizimi i këtij afati do të varet nga ecuria e mëtejshme e punimeve dhe procedurave të projektit.