Secondary Adv

Të ardhurat nga pagat në ndërtim rriten 49 për qind, punonjësit e deklaruar vetëm 3 për qind

Të ardhurat nga Tatimi mbi të Ardhurat nga Punësimi në sektorin e ndërtimit u rritën me 49 për qind në qershor 2026 krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, ndërsa numri i punonjësve të deklaruar u shtua me vetëm 3 për qind.

Sipas Administratës Tatimore, të dhënat tregojnë një zhvendosje të punonjësve drejt fashave më të larta të pagave të deklaruara.


Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, sektori i ndërtimit kishte 65,241 punonjës të deklaruar në qershor 2026, nga 63,041 në qershor 2025. Në terma absolutë, bëhet fjalë për 2,200 punonjës më shumë, ose një rritje prej rreth 3 për qind.


Ndërkohë, paga bruto totale e deklaruar në sektor u rrit me 23 për qind, ndërsa paga bruto mbi të cilën llogariten kontributet e sigurimeve shoqërore u zgjerua me 20 për qind. Totali i kontributeve të paguara u rrit me 25 për qind, ndërsa Tatimi mbi të Ardhurat nga Punësimi shënoi rritjen më të lartë, me 49 për qind.


Më shumë punonjës deklarohen në fashat e larta të pagave

Të dhënat sipas fashave tregojnë ndryshime të ndjeshme në strukturën e pagave të deklaruara. Numri i punonjësve me paga nga 70,001 deri në 100,000 lekë u rrit me 119 për qind, ndërsa në fashën 100,001–120,000 lekë rritja ishte 79 për qind. Për punonjësit me paga mbi 120,000 lekë u regjistrua një rritje prej 49 për qind. Edhe numri i të punësuarve të deklaruar me pagë fikse prej 50,000 lekësh rezultoi 156 për qind më i lartë se një vit më parë.


Në të kundërt, numri i punonjësve në disa prej fashave më të ulëta u reduktua ndjeshëm. Për pagat deri në 39,999 lekë rënia ishte 4 për qind, ndërsa numri i punonjësve të deklaruar me pagë 40,000 lekë u ul me 99 për qind. Në fashën 40,001–49,999 lekë rënia arriti në 91 për qind, ndërsa për pagat nga 50,001 deri në 70,000 lekë u regjistrua një tkurrje prej 13 për qind.


Tatimet e lidhin rritjen me formalizimin e sektorit

Administrata Tatimore i lidh këto zhvillime me zbatimin e Planit Sektorial të Ndërtimit, duke i konsideruar si tregues të formalizimit përmes rritjes së numrit të punonjësve të deklaruar, pagave dhe kontributeve.


Megjithatë, të dhënat e publikuara nuk japin nivelin mesatar të pagës apo numrin konkret të punonjësve në secilën fashë. Për këtë arsye, nga të dhënat e disponueshme nuk mund të përcaktohet se sa nga rritja lidhet me rritjen reale të pagave dhe sa me deklarimin më të plotë të tyre.


Burimi: ekofin.al


Më të lexuarat