Secondary Adv

NAREA: Vetëm 40 për qind e agjentëve të pronave janë plotësisht të formalizuar

Vetëm rreth 4 në 10 agjentë të pasurive të paluajtshme në Shqipëri vlerësohen si plotësisht të formalizuar dhe të licencuar.

Pjesa tjetër e tregut ndahet mes operatorëve pjesërisht të formalizuar dhe atyre informalë. Gjetjet vijnë nga Vrojtimi Bazë i Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme 2026, i prezantuar nga Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë (NAREA).


Vrojtimi, i cilësuar si matja e parë sistematike kombëtare mbi strukturën, sfidat dhe prioritetet e reformës së profesionit, u zhvillua nga 16 korriku deri më 7 gusht 2026. Nga 495 hyrje në instrument u siguruan 140 pyetësorë të plotësuar tërësisht. Analiza përfshin profilin e profesionit, informalitetin, vetërregullimin, kuadrin ligjor, integritetin dhe ekspozimin ndaj korrupsionit, pajtueshmërinë AML/CFT dhe prioritetet e reformës.


Rreth 9 në 10 agjenci të përfaqësuara në kampion deklarojnë se janë të licencuara sipas ligjit nr. 9/2022, ndërsa shumica e të anketuarve zotërojnë licencë personale. Megjithatë, vetë profesionistët e vlerësojnë nivelin real të formalizimit të tregut me vetëm 2.4 pikë nga 5.


Sipas perceptimit të të anketuarve për tregun ku veprojnë, vetëm rreth 4 në 10 agjentë janë tërësisht të formalizuar dhe të licencuar, rreth 3 në 10 janë pjesërisht të formalizuar dhe rreth 3 në 10 veprojnë në mënyrë tërësisht informale. Pothuajse të gjithë profesionistët deklarojnë se ndeshen me operatorë të palicencuar, ndërsa gati gjysma i hasin ata të paktën një herë në muaj.


Konkurrenca e pandershme shihet si shkaku kryesor i informalitetit

Tre në katër të anketuar identifikojnë konkurrencën e pandershme si shkakun kryesor të informalitetit. Sipas analizës së NAREA-s, operatorët informalë shmangin kostot e licencimit, tatimeve, dokumentimit, trajnimit dhe pajtueshmërisë, duke krijuar një disavantazh ekonomik për subjektet që veprojnë në përputhje me kërkesat ligjore.


Një nga përfundimet e vrojtimit është se formalizimi nuk duhet të matet vetëm përmes numrit të licencave të lëshuara, por edhe përmes aftësisë së tregut dhe institucioneve për të identifikuar, përjashtuar dhe disiplinuar operatorët e palicencuar.


Gati 6 në 10 të anketuar konstatojnë një lloj përmirësimi gjatë viteve të fundit, por vetëm rreth 2 në 10 shohin ndryshime të qarta dhe të prekshme. Mungesa e zbatimit, kontrollit dhe sanksioneve rezulton ndër shqetësimet kryesore të evidentuara në përgjigjet e pjesëmarrësve.


Sipas vrojtimit, ligji i miratuar nga Ministria e Drejtësisë vlerësohet se ka ndikuar pozitivisht në integritetin e profesionit, por ndikimi në formalizimin real të tregut perceptohet si më i kufizuar.


“Ky raport nuk është kundër reformës; është një thirrje për ta çuar reformën deri në fund. Ligji i miratuar ka vendosur standardin, por tregu ende nuk funksionon plotësisht sipas atij standardi. Distanca mes ligjit dhe realitetit është pikërisht hapësira ku duhet të përqendrohen institucionet, profesioni dhe partnerët e tij”, u shpreh Dritan Caka, Kryetar i Bordit të NAREA-s.


NAREA propozon regjistër publik dhe kontrolle ndaj operatorëve të palicencuar

Ndër masat që marrin mbështetjen më të madhe të pjesëmarrësve janë krijimi i një regjistri publik online të ndërmjetësve dhe agjencive të licencuara, trajnimet e detyrueshme periodike, përcaktimi i kritereve më të qarta për licencimin dhe ushtrimin e profesionit, kontrollet më efektive ndaj operatorëve të palicencuar dhe vendosja e një kodi etik të detyrueshëm.


“Ne nuk kërkojmë privilegj. Kërkojmë një treg ku profesionisti i licencuar, i trajnuar dhe i përgjegjshëm të mos konkurrohet nga informaliteti. Publikimi i këtyre të dhënave është një akt transparence: sektori po pranon problemet e tij dhe po paraqet zgjidhje të matshme për t’i adresuar ato”, u shpreh Reinaldo Pipiria, Drejtor Ekzekutiv i NAREA-s.


Përmbledhja e politikave që shoqëron Vrojtimin Bazë 2026 përmban 15 rekomandime konkrete, të përqendruara në pesë fusha: pajtueshmërinë dhe integritetin profesional, vetërregullimin dhe standardet etike, formimin dhe kualifikimin e vazhdueshëm, transparencën dhe regjistrat publikë, si dhe përmirësimin e kuadrit ligjor dhe bashkëpunimit institucional.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat