Punësimi sezonal jashtë solli një rekord të ri historik prej gati 400 mln euro në janar-qershor
Të ardhurat neto nga puna jashtë vendit arritën në 397 milionë euro, me rritje 27% në gjysmën e parë të 2026.
Të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga puna jashtë vendit po rriten për të gjashtin vit radhazi dhe kanë arritur nivelin më të lartë historik këtë vit. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në gjysmën e parë të vitit 2026, të ardhurat neto nga puna arritën në 397 milionë euro, 27% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas metodikës së Bilancit të Pagesave, në të ardhurat nga puna jashtë vendit klasifikohet kompensimi i punonjësve, që përfshin pagën, shpërblimet dhe përfitime të tjera të fituara nga individët jorezidentë në një ekonomi për punën e kryer për rezidentët e kësaj ekonomie. Në këtë kategori përfshihen punonjësit sezonalë ose ata që punësohen për një periudhë afatshkurtër, më pak se një vit, si dhe punëtorët kufitarë që e kanë qendrën e interesit të tyre ekonomik në vendin e origjinës.
Mbi 1 miliard euro nga puna dhe remitancat
Në analizat e flukseve hyrëse nga jashtë, të ardhurat nga puna jashtë vendit shpesh u bashkëngjiten dërgesave të emigrantëve dhe klasifikohen si pjesë e të ardhurave totale nga remitancat në ekonomi. Për gjashtëmujorin e parë, dërgesat e emigrantëve arritën në 621 milionë euro, në rritje me 16.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Edhe remitancat kanë shënuar vlerën më të lartë historike për këtë periudhë të vitit.
Të marra së bashku, remitancat dhe të ardhurat nga puna kontribuuan me 1 miliard e 18 milionë euro në Bilancin e Pagesave, shifër 20.6% më e lartë krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar. Të ardhurat nga puna dhe remitancat së bashku mbulonin rreth 35% të deficitit tregtar në mallra për gjashtëmujorin e parë të këtij viti.
Puna, historikisht një burim i rëndësishëm për ekonominë
Deri në rritjen e shpejtë të sektorit të turizmit, veçanërisht pas pandemisë së vitit 2020, puna ka qenë faktori dominues ku janë mbështetur eksportet e ekonomisë shqiptare. Përveç të ardhurave direkte nga puna jashtë vendit, një kontribut të rëndësishëm historikisht ka dhënë edhe regjimi i përpunimit aktiv të mallrave, i njohur si fasoneria.
Për gjashtëmujorin e parë 2026, të ardhurat nga fasoneria arritën në 365 milionë euro, 1.1% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në vitet e fundit, sektori është goditur ndjeshëm nga forcimi i Lekut në kursin e këmbimit valutor dhe nga rritja e kostos së punës.
Remitancat sa 8 për qind e PBB-së
Sipas një raporti të IFAD (Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin Bujqësor), Shqipëria vlerësohet se ka një peshë të konsiderueshme të remitancave në ekonomi, të barabartë me 8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria renditet pas Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi, ku remitancat përfaqësojnë përkatësisht 11% dhe 10% të PBB-së. Shqipëria qëndron përpara Serbisë, ku remitancat zënë 7% të PBB-së, dhe Maqedonisë së Veriut, ku ato përbëjnë 2% të PBB-së.