Secondary Adv

Tatimet: 2800 tatimpagues në tregun e pasurive të paluajtshme, sektori me risk për nëndeklarime

Tatimet evidentojnë përdorimin e cash-it, nëndeklarimin dhe copëzimin e kompanive si risqe në tregun e pasurive të paluajtshme.

Deri në qershor janë regjistruar rreth 2,800 tatimpagues në tregun e pasurive të paluajtshme, ndërsa përdorimi i lartë i cash-it, nëndeklarimi i transaksioneve dhe copëzimi i kompanive janë disa prej risqeve të evidentuara nga administrata tatimore.


Shifrat u bënë publike nga Drejtori i Menaxhimit të Riskut në Administratën Tatimore, Imir Kraja, gjatë konferencës së NAREA, ku u prezantuan gjetjet e studimit mbi formalizimin e profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme.


Përdorimi i cash-it dhe nëndeklarimi ndër risqet kryesore

Sipas të dhënave të prezantuara, sektori mbetet me risk edhe për shkak të lidhjes së ngushtë me sektorin e ndërtimit. Një nga elementet e identifikuara është përdorimi i konsiderueshëm i transaksioneve në cash, i cili lidhet edhe me riskun e pastrimit të parave.


Në analizën e Tatimeve evidentohen gjithashtu risqe të lidhura me nëndeklarimin e transaksioneve të shitblerjes dhe qirave, si dhe me copëzimin e kompanive për të shmangur detyrimet e tatim-fitimit.


70 për qind e kompanive janë regjistruar pas vitit 2020

Sipas shifrave të bëra publike, 30% e kompanive të pasurive të paluajtshme janë regjistruar deri në vitin 2020, ndërsa 70% pas këtij viti. Vetëm në dy vitet e fundit janë regjistruar 36% e kompanive të sektorit.


Të dhënat tregojnë gjithashtu një përqendrim të lartë gjeografik të aktivitetit. Rreth 63% e kompanive të pasurive të paluajtshme janë të shtrira në Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë dhe Sarandë.


Të dhënat u prezantuan në kuadër të diskutimeve për formalizimin e tregut dhe profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme, në një sektor që administrata tatimore e konsideron të ekspozuar ndaj disa formave të riskut fiskal.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat