Rama i ftoi në takim, magjistratët çojnë në Kushtetuese formulën e re të pagave
Tre shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kërkojnë shfuqizimin dhe pezullimin e ligjit të ri për pagat.
Tre organizatat kryesore përfaqësuese të sistemit të drejtësisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, Unioni i Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese kundër ligjit të ri për pagat e magjistratëve, të miratuar më 18 shtator 2026 në Kuvend. Kërkesa vjen në një kohë kur Kryeministri Edi Rama i ka ftuar magjistratët në dialog për çështjen e pagave.
Kërkesa ka si objekt shfuqizimin e plotë si antikushtetues të Ligjit nr. 95/2026, datë 18.09.2026, si dhe pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të tij deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese. Në kërkesën e tyre, organizatat paraqesin një sërë pretendimesh që lidhen me formulën e re të pagës, fuqinë prapavepruese të ligjit, pavarësinë e gjyqësorit dhe procedurën e ndjekur për miratimin e ndryshimeve.
Kundërshtohet formula e re e pagës
Ligji nr. 95/2026 e lidh pagën referuese bazë të magjistratit me pagën e Presidentit të Republikës sipas koeficientit 0.38. Kërkuesit argumentojnë se kjo formulë riprodhon atë që ata e cilësojnë si “ulje të fshehtë” dhe ngrirje të pagave, duke kundërshtuar mënyrën e zbatimit të Vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas pretendimit të shoqatave, meqenëse Kuvendi nuk miratoi ndryshimet brenda afatit detyrues të 31 korrikut 2026, u aktivizua drejtpërdrejt formula me referencë te funksionari i administratës së lartë publike. Për këtë arsye, ato kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë përputhshmërinë e formulës së re me vendimin e saj të mëparshëm.
Kundërshtohet efekti financiar nga 1 prilli 2023
Një tjetër pikë e kundërshtuar lidhet me fuqinë prapavepruese të ligjit, i cili i shtrin efektet financiare që nga 1 prilli 2023. Sipas kërkuesve, kjo sjell rillogaritje në ulje të pagave, krijimin e diferencave debitore, prekjen e të drejtave të fituara dhe cenimin e sigurisë juridike për magjistratët.
Shoqatat ngrenë gjithashtu pretendimin për cenimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe parimit të ndarjes së pushteteve. Në kërkesë argumentohet se paga e magjistratit mbrohet nga neni 138 i Kushtetutës si një garanci materiale e pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Sipas tyre, ndërhyrja ligjore me efekt prapaveprues prek edhe proceset gjyqësore administrative që janë aktualisht në zhvillim kundër Ministrisë së Financave dhe Thesarit.
Efektet, sipas shoqatave, shtrihen në të gjithë sistemin e drejtësisë
Në kërkesë argumentohet se ndryshimet nuk prekin vetëm gjyqtarët dhe prokurorët. Paga e magjistratit shërben si bazë referuese ligjore edhe për pagat e hetuesve të BKH-së, Oficerëve të Policisë Gjyqësore, këshilltarëve ligjorë të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, si dhe administratës gjyqësore.
Sipas organizatave kërkuese, ligji i ri ndërpret këtë lidhje dhe mund të krijojë fragmentim, pasiguri dhe pabarazi financiare brenda sistemit të drejtësisë.
Shoqatat kundërshtojnë edhe procedurën parlamentare
Një tjetër pretendim i ngritur në kërkesë lidhet me mënyrën e miratimit të ligjit. Shoqatat argumentojnë se nuk është zhvilluar një proces konsultimi real, transparent dhe efektiv. Sipas tyre, organizatat përfaqësuese u njoftuan për të marrë pjesë në dëgjesat e komisioneve parlamentare vetëm pak minuta përpara zhvillimit të tyre më 15 shtator 2026, duke pamundësuar një debat substancial mbi ndryshimet.
Tashmë i takon Gjykatës Kushtetuese të shqyrtojë kërkesën e tre organizatave, përfshirë pretendimet e tyre për antikushtetutshmërinë e Ligjit nr. 95/2026 dhe kërkesën për pezullimin e zbatimit të tij deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
Burimi: Euronews.al
Më të lexuarat






k.jpg)