Secondary Adv

Tirana, ndër qytetet me raportin më të dobët mes kostos dhe cilësisë së jetës

Tirana renditet e katërta nga fundi për raportin mes kostos dhe cilësisë së jetës në krahasimin e 100 qyteteve.

Tirana rezulton me një nga raportet më të pafavorshme mes kostos dhe cilësisë së jetës në një krahasim të ri të 100 qyteteve në botë. Në këtë renditje, kryeqyteti shqiptar pozicionohet i katërti nga fundi.


Konkretisht, Tirana rezulton në percentilin e 6-të për cilësinë e jetës, ndërsa për koston e jetesës arrin në percentilin e 39-të. Kjo do të thotë se, megjithëse kryeqyteti shqiptar mbetet nën mesataren globale të kostove në këtë krahasim, avantazhi i çmimeve nuk shoqërohet me një nivel proporcionalisht më të lartë të cilësisë së jetesës.


Renditja bazohet në të dhënat e Numbeo për vitin 2026 dhe krahason 100 qytete, ndërsa percentilet janë llogaritur kundrejt një baze më të gjerë prej 306 qytetesh. Për cilësinë e jetës, analiza ka hequr komponentët e lidhur drejtpërdrejt me çmimet, në mënyrë që përballueshmëria të mos llogaritet dy herë. Vlerësimi mbështetet te faktorë të tillë si siguria, kujdesi shëndetësor, trafiku, ndotja dhe klima.


Tirana dhe Beogradi me të njëjtën kosto, por diferencë në cilësinë e jetës

Krahasimi me Beogradin nxjerr më qartë pozicionin e Tiranës. Të dy kryeqytetet kanë saktësisht të njëjtin pozicion për koston e jetesës, në percentilin e 39-të, por diferenca në cilësinë e jetës është e ndjeshme. Beogradi ndodhet në percentilin e 22-të, kundrejt percentilit të 6-të për Tiranën. Pra, me një nivel relativ kostosh të njëjtë sipas kësaj metodologjie, kryeqyteti serb pozicionohet 16 pikë percentile më lart për cilësinë e jetës.


Edhe të dhënat bazë të Numbeo për vitin 2026 tregojnë një diferencë të konsiderueshme, me indeksin e përgjithshëm të cilësisë së jetës në 121.6 për Beogradin, kundrejt 97.5 për Tiranën.


Vetëm 18 qytete kombinojnë kosto të ulët me cilësi të lartë jetese


Në nivel global, vetëm 18 nga 100 qytetet e analizuara arrijnë kombinimin që konsiderohet më i favorshëm: kosto jetese nën medianë dhe cilësi jete mbi medianë. Në këtë grup spikasin disa qytete europiane, mes tyre Split, Porto, Valencia, Praga, Lisbona, Bratislava, Riga dhe Varna.


Spliti, për shembull, arrin percentilin e 97-të për cilësinë e jetës, por vetëm të 49-in për koston. Porto është në percentilin e 96-të për cilësinë dhe të 41-in për koston, ndërsa Valencia në të 93-in dhe të 43-in respektivisht.


Nju Jorku dhe Los Anxhelosi me kosto të lartë dhe cilësi më të ulët

Në skajin tjetër janë disa prej metropoleve më të mëdha amerikane. Nju Jorku ndodhet në percentilin e 100-të për koston e jetesës, por vetëm në të 20-in për cilësinë e jetës, ndërsa Los Anxhelosi është në percentilin e 95-të për koston dhe të 10-in për cilësinë. Chicago, San Francisco, Las Vegas dhe Houston gjithashtu futen në zonën që analiza e klasifikon me raport të pafavorshëm mes çmimeve dhe cilësisë së jetës.


Të dhënat tregojnë se një qytet me kosto më të ulët nuk është automatikisht një qytet me raport të mirë mes kostos dhe cilësisë së jetës. Shërbimet shëndetësore, siguria, transporti, ndotja dhe koha e humbur në trafik mund të neutralizojnë avantazhin e çmimeve më të ulëta. Në rastin e Tiranës, kostot janë nën mesataren e bazës së krahasimit, por cilësia e jetës mbetet shumë më pranë fundit të shpërndarjes.


Renditja duhet lexuar si tregues krahasues

Megjithatë, renditja duhet lexuar si një tregues krahasues dhe jo si matje absolute e mirëqenies. Numbeo mbështetet në të dhëna të kontribuuara nga përdoruesit, ndaj rezultatet mund të ndikohen nga numri dhe profili i raportuesve në secilin qytet. Vetë baza e Numbeo për vitin 2026 e rendit Tiranën me indeks të cilësisë së jetës 97.5, ndër nivelet më të ulëta të qyteteve europiane të përfshira në renditje.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat