Secondary Adv

Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja të karburanteve në vend

Bordi i Transparencës uli me 6 lekë çmimin maksimal të naftës dhe me 2 lekë atë të benzinës.

Çmimet e karburanteve kanë shënuar një ulje të lehtë. Bordi i Transparencës, në mbledhjen e tij të fundit më 22 shtator 2026, vendosi që çmimi maksimal i shitjes me pakicë të naftës të ulet në 213 lekë për litër, nga 219 lekë për litër që ishte më parë. Çmimi maksimal i benzinës u ul në 193 lekë për litër, nga 195 lekë për litër.


Sipas njoftimit zyrtar, Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë/Pakicë të Nënprodukteve të Naftës dhe të Gazit zhvilloi mbledhjen e dytë në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026, “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”. Vendimmarrja mbështetet gjithashtu në nenet 21/3 dhe 21/5 të Ligjit nr. 8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe në Aktin Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, për ndryshimet në ligjin për akcizat.


Nafta me pakicë jo më shumë se 213 lekë për litër

Bordi vendosi që çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil të standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 213 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë të jetë jo më shumë se 201 lekë për litër.


Për benzinën, çmimi maksimal i shitjes me pakicë u vendos në 193 lekë për litër, ndërsa ai i shitjes me shumicë në jo më shumë se 181 lekë për litër.


Çmimet e reja hyjnë në fuqi më 22 shtator, ora 12:00

Çmimet e përcaktuara nga Bordi hyjnë në fuqi më 22 shtator 2026, në orën 12:00, dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme, kur do të pasqyrohen ndryshimet e mëtejshme të çmimeve të shitjes.


Bordi u ka tërhequr vëmendjen të gjithë operatorëve të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës për detyrimin e zbatimit të vendimit. Sipas njoftimit, në rast të konstatimit të shkeljeve nga operatorët do të vendoset pezullimi i aktivitetit.


Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklarojnë se janë angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat