Secondary Adv

Blerjet e valutës dhe kredia, rritja e ofertës së parasë shënoi rekord të ri në korrik

Rritja e ofertës së parasë në ekonomi shënoi një rekord të ri historik në korrik, e mbështetur nga zgjerimi i kreditimit dhe blerjet e valutës nga Banka e Shqipërisë.

Agregati monetar M2 u rrit me 16.8 për qind në terma vjetorë, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 15.9 për qind të regjistruar në qershor.


Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, agregati M2 po rritet me ritme dyshifrore që prej marsit 2025. Ky tregues përfshin paranë jashtë bankave dhe depozitat bankare në lekë që bëjnë pjesë në përkufizimin e parasë së gjerë. Mes komponentëve të tij, rritjen më të lartë në korrik e regjistruan llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat në lekë, me 18.8 për qind krahasuar me një vit më parë.


Rritja e M2 tregon një zgjerim të sasisë së parasë në monedhën kombëtare në ekonomi. Një nga faktorët mbështetës është kreditimi, teksa në fund të korrikut portofoli total i kredisë për ekonominë, i shprehur si tepricë, kaloi për herë të parë nivelin e 1 trilion lekëve, me një rritje prej 12 për qind në terma vjetorë.


Normat e interesit, ecuria e ekonomisë reale dhe bilancet e sektorit bankar kanë vijuar të mbështesin zgjerimin e kredisë edhe gjatë shtatëmujorit të këtij viti, pavarësisht disa masave frenuese të aplikuara nga Banka e Shqipërisë për kreditimin e lidhur me pasuritë e paluajtshme.


Banka e Shqipërisë vijon blerjet e valutës

Një tjetër faktor që ndikon në ofertën e parasë janë ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor. Forcimi i lekut është thelluar përsëri këtë vit, pasi ishte ngadalësuar disi gjatë vitit 2025. Euro këmbehet aktualisht me 91.5 lekë, niveli më i ulët i regjistruar, duke shënuar një rënie prej 5.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë rregullisht në treg gjatë muajve të fundit. Në tremujorin e parë, blerjet arritën në 140 milionë euro, ndërsa të dhënat për tremujorin e dytë ende nuk janë publikuar.


Gjatë vitit të kaluar, sipas statistikave zyrtare, Banka Qendrore bleu në tregun e brendshëm valutor një rekord prej 1 miliard e 27 milionë eurosh, 10 për qind më shumë se një vit më parë. Shuma përfshin si blerjet e planifikuara për rritjen e rezervës valutore, ashtu edhe ndërhyrjet direkte në treg për të frenuar rënien e mëtejshme të kursit të këmbimit.


Bilanci i Bankës së Shqipërisë arrin në 915 miliardë lekë

Zgjerimi i ofertës së parasë reflektohet edhe në rritjen e bilancit të Bankës së Shqipërisë. Në fund të gushtit, totali i aktiveve arriti në pothuajse 915 miliardë lekë, niveli më i lartë i regjistruar deri tani.


Vlera e aktiveve u rrit me 3.7 për qind krahasuar me korrikun dhe me 10.7 për qind në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në parim, zgjerimi i bilancit të Bankës Qendrore lidhet me një injektim më të madh të parasë në ekonomi, ndërsa paraja në qarkullim, e regjistruar në bilancin e Bankës së Shqipërisë si detyrim, është rritur me 15.2 për qind në terma vjetorë.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat