Secondary Adv

Euro vijon rënien, prek rekord të ri në vlerën e 91.4 lekëve

Euro ka vijuar rënien ndaj lekut, duke zbritur në nivelin më të ulët historik.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye me 91.4 lekë, ndërsa që nga fillimi i vitit ka humbur 5.5 për qind të vlerës dhe në terma vjetorë rënia arrin në 5.7 për qind.


Rënia e Euros është përshpejtuar që prej tremujorit të parë të këtij viti. Sipas agjentëve të tregut, kursi po vijon të ndikohet nga flukset e larta valutore të sezonit veror, ndërkohë që kërkesa për monedhën europiane paraqitet e dobët.


Zhvlerësimi i Euros duket se po ndikon edhe në përdorimin e saj në transaksionet e shitblerjes së aseteve në tregun vendas, përfshirë pasuritë e paluajtshme. Në të njëjtën kohë, depozitat në Euro po rriten me ritme më të ngadalta, çka sugjeron një rritje të preferencës për mbajtjen e kursimeve në monedhën vendase.


Turizmi dhe eksportet e shërbimeve mbështesin Lekun

Tendenca afatgjatë e forcimit të Lekut lidhet edhe me përmirësimin e pozicionit të jashtëm të ekonomisë shqiptare. Ndër faktorët kryesorë renditen rritja e të ardhurave nga turizmi dhe eksportet e shërbimeve, shtimi i investimeve të huaja direkte, veçanërisht në pasuri të paluajtshme, ndërsa në treg perceptohet edhe një rol i prurjeve valutore informale.


Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 deficiti i llogarisë korrente zbriti në 361 milionë euro, 40.6 për qind më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky ishte njëkohësisht niveli më i ulët i deficitit për një gjashtëmujor që prej vitit 2018.


Ulja e deficitit u ndikua kryesisht nga rritja e eksporteve të shërbimeve dhe remitancave. Bilanci i tregtisë së shërbimeve ishte pozitiv me rreth 1.79 miliardë euro, 12.9 për qind më shumë se në gjysmën e parë të vitit të kaluar. Më shumë se gjysma e kontributit erdhi nga turizmi, i cili gjeneroi të ardhura neto prej 957 milionë eurosh, me rritje vjetore prej 20 për qind.


Investimet e huaja arrijnë në 1.144 miliardë euro

Edhe rritja e investimeve të huaja direkte ka shtuar flukset valutore. Në tremujorin e dytë të vitit 2026, investimet e huaja direkte arritën në 741 milionë euro, 86 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja u ndikua ndjeshëm nga flukset e lidhura me një projekt të rëndësishëm zhvillimi në sektorin e pasurive të paluajtshme.


Për të gjithë gjashtëmujorin e parë, investimet e huaja direkte arritën në 1.144 miliardë euro, duke u rritur me 50 për qind në terma vjetorë.


Një tjetër faktor që po ndikon në treg është suficiti fiskal, i cili kufizon ofertën e Lekut. Për tetëmujorin e vitit 2026, buxheti rezultoi me suficit prej 61.6 miliardë lekësh, 52 për qind më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat