Bashkitë rritën shpenzimet, por vetëm 21.3 për qind e buxhetit shkoi për investime
Shpenzimet e 61 bashkive arritën në rreth 87.1 miliardë lekë gjatë vitit 2025, duke u rritur me 17.6 për qind krahasuar me një vit më parë.
Megjithatë, pjesa më e madhe e fondeve vijoi të përdorej për paga, sigurime dhe shpenzime operative, ndërsa vetëm 21.3 për qind shkoi për investime kapitale.
Sipas raportit “Qeverisja Vendore në Shqipëri 2025” të Institutit për Bashkitë e Shqipërisë, bashkitë shpenzuan rreth 13 miliardë lekë më shumë se në vitin 2024. Nga totali prej 87.13 miliardë lekësh, shpenzimet kapitale arritën në 18.56 miliardë lekë. Pagat dhe sigurimet përbënë 45.6 për qind të totalit, ndërsa shpenzimet operative 25.3 për qind.
Raporti evidenton se buxhetet vendore vijojnë të dominohen nga shpenzimet korrente, duke lënë një hapësirë relativisht të kufizuar për investimet kapitale.
Rriten shpenzimet për paga dhe numri i punonjësve
Shpenzimet për paga dhe sigurime u rritën me 17.7 për qind gjatë vitit 2025. Sipas raportit, kjo lidhet me politikën e pagave të zbatuar gjatë viteve 2023-2024, por edhe me shtimin e numrit të punonjësve në administratën vendore.
Në fund të vitit 2025, bashkitë kishin gjithsej 39,910 punonjës, 1,038 më shumë se një vit më parë. Në 45 nga 61 bashki numri i punonjësve u rrit. Shtimin më të madh e regjistroi Kamza, me 237 punonjës më shumë, e ndjekur nga Fieri me 153 dhe Shkodra me 65.
Në kahun tjetër, Bashkia e Tiranës kishte 68 punonjës më pak krahasuar me një vit më parë, Cërriku 29 më pak, Puka 20 dhe Vlora 16 më pak.
Zgjerimi i shpenzimeve ishte pothuajse i përgjithshëm, pasi 60 nga 61 bashki shpenzuan më shumë se në vitin 2024. Instituti për Bashkitë e Shqipërisë kërkon që rritja e buxheteve vendore të vlerësohet jo vetëm sipas shumës së parave të shpenzuara, por edhe sipas efektivitetit të investimeve dhe ndikimit të tyre në shërbimet për qytetarët.