Secondary Adv

S&P rikonfirmon Shqipërinë në BB, ekonomia pritet të rritet me 3.4 për qind në 2026

Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit Standard & Poor’s Global Ratings ka rikonfirmuar vlerësimin afatgjatë të kreditit sovran të Shqipërisë në nivelin “BB”, me perspektivë “të qëndrueshme”.

Për vitin 2026, agjencia parashikon rritje ekonomike prej 3.4 për qind, ndërsa pret vijimin e uljes së borxhit publik.


Sipas raportit analitik të publikuar më 21 shtator 2026, të referuar në një njoftim të Ministrisë së Financave, ekonomia shqiptare ka regjistruar rritje të të ardhurave për frymë gjatë viteve të fundit, ndërsa borxhi i qeverisë dhe borxhi i jashtëm janë në trend rënës.


S&P vlerëson se ekonomia ka treguar qëndrueshmëri ndaj goditjeve të njëpasnjëshme të viteve të fundit, duke u rritur mesatarisht me 4 për qind në vit në terma realë gjatë periudhës 2022-2025. Për vitin 2026 parashikohet rritje reale e PBB-së me 3.4 për qind, nga 3.7 për qind në vitin 2025, ndërsa për periudhën 2027-2029 pritet një rritje mesatare prej rreth 3 për qind në vit.


Sipas agjencisë, aktiviteti ekonomik pritet të mbështetet nga eksportet e shërbimeve, konsumi privat dhe investimet. Pozicioni i jashtëm i vendit është forcuar, kryesisht falë performancës së turizmit, ndërsa deficitet e llogarisë korrente janë ngushtuar ndjeshëm gjatë periudhës 2023-2025.


Borxhi publik pritet të zbresë në 50.5 për qind të PBB-së

Në financat publike, S&P e vlerëson pozicionin fiskal të Shqipërisë si relativisht të fortë krahasuar me tregjet në zhvillim. Agjencia parashikon deficit buxhetor prej 2 për qind të PBB-së në vitin 2026, nën kufirin prej 2.3 për qind të përcaktuar nga autoritetet shqiptare, dhe një deficit mesatar prej rreth 2 për qind të PBB-së deri në vitin 2029.


S&P i konsideron të arritshme objektivat e rregullave fiskale të përcaktuara në Ligjin Organik të Buxhetit dhe evidenton se Shqipëria ka regjistruar suficit primar që nga viti 2023. Borxhi publik parashikohet të zbresë nga 52.9 për qind e PBB-së në vitin 2025 në 50.5 për qind në fund të vitit 2029.


Rezervat valutore arrijnë në 8.1 miliardë euro

Rezervat valutore të Shqipërisë arritën në 8.1 miliardë euro në fund të korrikut 2026, ekuivalente me 27 për qind të PBB-së. Sipas raportit, ato janë mbështetur nga prurjet e eksporteve të shërbimeve, kryesisht turizmit, si dhe nga flukset e investimeve të huaja direkte, të cilat kanë mbuluar deficitet e llogarisë korrente.


Sektori bankar vlerësohet likuid, i mirëkapitalizuar dhe me përfitueshmëri të qëndrueshme. Kreditë me probleme përbënin 4 për qind të totalit në fund të korrikut 2026, krahasuar me nivelin prej 11 për qind përpara pandemisë.



Raporti evidenton gjithashtu procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke përmendur progresin në reformën në drejtësi dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe hapjen e të gjashtë grupkapitujve negociues.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat