Shqipëria me vetëm 7 stacione për monitorimin e ajrit, por nuk funksionojnë nga mungesa e fondeve
Shqipëria ka vetëm shtatë stacione automatike për monitorimin e cilësisë së ajrit në të gjithë vendin, por ato janë jooperacionale për shkak të mungesës së fondeve për mirëmbajtjen.
Raporti i fundit për zbatimin e Agjendës së Gjelbër në Ballkanin Perëndimor evidenton se gjatë vitit 2025 nuk pati progres në përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Europian për cilësinë e ajrit.
Sipas raportit të Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit, problem mbetet jo vetëm numri i kufizuar i pikave të matjes, por edhe nevoja për të përmirësuar monitorimin mjedisor dhe për të forcuar kapacitetet administrative. Mungesa e një rrjeti funksional matës e vështirëson monitorimin e vazhdueshëm të nivelit të ndotjes dhe vlerësimin e efektivitetit të masave të ndërmarra për reduktimin e saj.
Problematika lidhet drejtpërdrejt edhe me shëndetin publik. Raporti vëren se shumë qytete të Ballkanit Perëndimor vijojnë të regjistrojnë nivele ndotjeje mbi kufijtë e BE-së dhe udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në qytetet kryesore të gjashtë ekonomive të rajonit, numri i vdekjeve të parakohshme që i atribuoheshin ekspozimit ndaj grimcave PM2.5 në vitin 2019 vlerësohej nga 4,600 deri në 5,300 persona.
Vendet e rajonit zgjerojnë rrjetet e monitorimit
Raporti evidenton diferenca me vendet e tjera të rajonit. Mali i Zi ka ngritur një rrjet prej nëntë stacionesh automatike, të cilat kryejnë matje të vazhdueshme në tri zona të cilësisë së ajrit. Në Serbi, gjatë vitit 2025 u instaluan nëntë stacione të reja dhe pajisje të reja në 31 stacione ekzistuese.
Dobësitë e evidentuara për Shqipërinë shtrihen edhe në kontrollin e ndotjes industriale. Sipas raportit, vendi ka bërë progres të kufizuar në përafrimin me Direktivën për Emetimet Industriale, ndërsa procesi i dhënies së lejeve industriale ende nuk përfshin në mënyrë sistematike përfundimet mbi Teknikat më të Mira të Disponueshme (BAT). Edhe kapacitetet administrative të autoriteteve përgjegjëse për dhënien e këtyre lejeve vlerësohen të kufizuara.
Këto problematika marrin rëndësi të shtuar me hyrjen e plotë në fuqi të detyrimeve financiare të Mekanizmit të Rregullimit të Karbonit në Kufij (CBAM) të Bashkimit Europian nga 1 janari 2026. Mekanizmi shton presionin mbi sektorë si çeliku dhe çimentoja për reduktimin dhe dokumentimin e emetimeve.