Secondary Adv

Kosova, investitori i tretë më i madh në Shqipëri me 186.4 milionë euro

Bizneset nga Kosova po zgjerojnë praninë në tregun shqiptar përmes blerjeve dhe investimeve në kompani të mëdha.

Vetëm gjatë vitit 2025, investimet nga Kosova në Shqipëri arritën në 186.4 milionë euro, duke e renditur Kosovën si investitorin e tretë më të madh, pas Holandës dhe Italisë, sipas drejtorit ekzekutiv të Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha.


Në një postim në Facebook, Panxha theksoi se vitet e fundit bizneset kosovare nuk janë përqendruar vetëm në sektorin e pasurive të paluajtshme në Shqipëri, por kanë zgjeruar aktivitetin edhe përmes blerjes dhe zhvillimit të kompanive të mëdha. Sipas tij, Shqipëria po shndërrohet në tregun e parë të natyrshëm për zgjerimin rajonal të kompanive nga Kosova.


Nga SPAR te Fashion Group, investimet e kompanive kosovare

Ndër investimet e përmendura është blerja e SPAR Albania nga Viva Fresh Group për 36.4 milionë euro. Transaksioni u finalizua gjatë vitit 2025, ndërsa Viva Fresh siguroi mbështetje financiare deri në 25 milionë euro nga BERZH dhe ENEF II për blerjen. Kompania e zgjeroi më tej praninë në Shqipëri përmes blerjes së rrjetit “Eco Market”, transaksion i njoftuar nga Autoriteti i Konkurrencës në shtator të këtij viti, si dhe përmes gjashtë marketeve të KMY-së.


Albi Group ka blerë Fashion Group Albania për rreth 7.6 milionë euro, së bashku me operacionet e markave ndërkombëtare Mango, Geox, Parfois, Carpisa dhe Aldo. Ndërkohë, KAN Group ka marrë operimin e KFC-së në Shqipëri dhe po zgjeron aktivitetin në rajon.


Në sektorin e turizmit, Panxha veçoi investimin e Dukagjini Group në Dukagjini Resort në Rana e Hedhun, me një vlerë të raportuar prej rreth 80 milionë eurosh. Një tjetër investim është blerja e Tring nga Vertex Holding, kompani e lidhur me Artmotion dhe Devolli Corporation, duke zgjeruar praninë e kapitalit nga Kosova edhe në sektorin shqiptar të medias dhe telekomunikacionit.


“Këto kompani nuk po ikin prej Kosovës. Në Kosovë janë rritë dhe forcu; tash po bahen kompani rajonale”, shkroi Panxha.


Sipas tij, të dhënat tregojnë se marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë kanë avancuar dhe kompanitë kosovare po e përdorin tregun shqiptar si një nga hapat e parë të zgjerimit përtej tregut vendas.


“Vetëm gjatë vitit 2025, bizneset nga Kosova investuan 186.4 milionë euro në Shqipëri. Me këtë shumë, Kosova u rendit investitori i tretë ma i madh, pas Holandës dhe Italisë. E Shqipëria është hapi i parë ma i natyrshëm”, deklaroi Panxha.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat