Secondary Adv

Rritja e çmimeve të banesave u frenua në gjysmën e parë të 2026

Rritja e çmimeve të banesave në Shqipëri u ngadalësua ndjeshëm gjatë gjysmës së parë të vitit 2026.

Sipas Bankës së Shqipërisë, Indeksi Fisher i çmimeve të banesave mbeti i pandryshuar krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm, ndërsa në terma vjetorë çmimet ishin 10 për qind më të larta.


Ritmi vjetor i rritjes së çmimeve është ngadalësuar ndjeshëm krahasuar me nivelet e regjistruara më parë. Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025, rritja vjetore kishte qenë 28 për qind, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të atij viti kishte arritur në 41.7 për qind.


Në Tiranë, çmimet u rritën me 10 për qind krahasuar me gjysmën e dytë të vitit 2025, ndërsa rritja vjetore ishte më e moderuar, në 9 për qind.


Agjentët më optimistë për tregun, veçanërisht në bregdet

Vlerësimi i agjentëve për situatën e tregut rezultoi disi më pozitiv krahasuar me periudhën e mëparshme. Balanca neto e përgjigjeve për ecurinë e tregut ishte pozitive, në nivelin 15 për qind, ndërsa në zonat bregdetare optimizmi rezultoi dukshëm mbi mesataren afatgjatë. Për subjektet që raportuan shitje, balanca neto ishte rreth 35 për qind.


Struktura e transaksioneve sipas diferencës ndërmjet çmimit të realizuar të shitjes dhe atij të kërkuar mbeti përgjithësisht e qëndrueshme. Pjesa më e madhe e pronave vijoi të shitej me çmime të njëjta ose deri në 5 për qind më të ulëta se çmimi fillestar i kërkuar, ndërsa transaksionet me zbritje më të mëdha mbetën të rralla. Numri i pronave të pashitura, si për banesa ashtu edhe për godina tregtare, vijoi rënien për disa gjashtëmujorë radhazi.


Koha mesatare për shitjen e një banese në rang vendi u rrit në 9.9 muaj, nga 9.1 muaj në vrojtimin e mëparshëm. Në Tiranë, koha mesatare u rrit nga 8.1 në 9.7 muaj, ndërsa në zonat bregdetare u ul nga 9.9 në 8.2 muaj. Në zonat e tjera të vendit, koha e shitjes arriti në 10.6 muaj, nga 10.1 muaj më parë.


58 për qind e pronave të shitura financohen me kredi

Kredia bankare vijon të ketë një peshë të konsiderueshme në financimin e blerjeve. Sipas agjentëve, rreth 58 për qind e pronave për banim dhe përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Në 34 për qind të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60 për qind të vlerës së pronës.


Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, rreth 20 për qind e banesave të shitura rezultojnë të blera nga shtetas jorezidentë. Rreth 85 për qind e këtyre blerësve janë shtetas të vendeve të Bashkimit Europian. Në tërësi, pesha e transaksioneve me blerës jorezidentë ka shfaqur prirje në rritje gjatë pesë viteve të fundit.


Agjentët e anketuar kanë pritje pozitive për ecurinë e tregut si në periudhën afatshkurtër, ashtu edhe në një horizont më të gjatë, deri në dy vjet.


Vrojtimi realizohet mbi një kampion prej 230 subjektesh, kryesisht agjentë të pasurive të paluajtshme dhe shoqëri ndërtimi, shitjet e të cilave përfaqësojnë rreth 75-80 për qind të xhiros së të gjithë popullatës së marrë në analizë. Banka e Shqipërisë harton pyetësorin dhe përpunon rezultatet, ndërsa Instituti i Statistikave mbulon intervistimin në terren, proceset kryesore të kampionimit dhe kontrollin fizik të pyetësorëve.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat