Secondary Adv

Shqipëria nis regjistrimin e impianteve të depozitimit të energjisë

Shqipëria ka hedhur hapat e parë për rregullimin e aktivitetit të depozitimit të energjisë elektrike.

Enti Rregullator i Energjisë ka mbyllur fazën kalimtare të regjistrimit të impianteve, ndërsa më 3 shtator njohu dhe lejoi operimin e impianteve të depozitimit të shoqërive “GREENSOL” dhe “GERTI”.


Procesi mbështetet në Ligjin nr. 59/2026 “Për sektorin e energjisë elektrike”, të botuar në Fletoren Zyrtare më 30 qershor 2026, i cili krijon për herë të parë një kuadër të posaçëm për këtë aktivitet në tregun shqiptar. Në korrik, ERE u kërkoi operatorëve që kishin impiante depozitimi në zhvillim ose në operim, por pa licencë të posaçme, të njoftonin dhe të regjistroheshin pranë Entit. Më 18 gusht u miratuan edhe rregullat për regjistrimin gjatë regjimit kalimtar.


Ligji i ri synon përafrimin e mëtejshëm të sektorit me standardet e Bashkimit Europian dhe zgjeron fushën e veprimtarisë së ERE-së. Përveç prodhimit, transmetimit, shpërndarjes, furnizimit dhe tregtimit, rregullatori tashmë mbulon edhe depozitimin e energjisë, agregimin, reagimin ndaj kërkesës dhe mekanizmat e fleksibilitetit.


Depozitimi bëhet më i rëndësishëm me rritjen e energjisë diellore

Depozitimi mundëson ruajtjen e energjisë në periudhat kur prodhimi është më i lartë se kërkesa dhe përdorimin e saj në një moment tjetër. Në rastin e baterive, energjia elektrike konvertohet në energji kimike gjatë karikimit dhe rikthehet në energji elektrike gjatë shkarkimit.


Kjo teknologji merr rëndësi të veçantë me shtimin e impianteve fotovoltaike dhe burimeve të tjera të rinovueshme, prodhimi i të cilave ndryshon gjatë ditës. Energjia e prodhuar nga impiantet diellore në orët me diell mund të ruhet dhe të përdoret më vonë, kur prodhimi bie dhe kërkesa mbetet e lartë.


Për Shqipërinë, depozitimi lidhet edhe me strukturën e sistemit energjetik, i cili mbështetet në masë të konsiderueshme te hidrocentralet dhe për këtë arsye ndikohet nga kushtet hidrologjike dhe reshjet. Luhatjet sezonale të konsumit dhe prodhimit mund ta ekspozojnë vendin ndaj nevojës për importe në periudhat kur prodhimi vendas nuk mbulon kërkesën. Zgjerimi i energjisë fotovoltaike, i kombinuar me kapacitete magazinimi, mund të rrisë fleksibilitetin e sistemit.


Sfida e radhës, integrimi i depozitimit në treg

Zhvillimi i këtij aktiviteti nuk lidhet vetëm me instalimin e baterive. Një nga çështjet kryesore për investitorët është mënyra se si energjia e depozituar dhe shërbimet që ofrojnë këto impiante do të monetizohen. Një impiant magazinimi mund të ruajë energjinë, ta injektojë atë në rrjet kur nevojitet dhe të kontribuojë në fleksibilitetin e sistemit.


Ligji nr. 59/2026 i jep ERE-së kompetenca për depozitimin, agregimin, reagimin ndaj kërkesës dhe mekanizmat e fleksibilitetit. ERE ka miratuar gjithashtu një kalendar për hartimin dhe rishikimin e akteve në zbatim të ligjit të ri. Këto rregulla pritet të përcaktojnë më qartë mënyrën se si operatorët e depozitimit do të marrin pjesë në treg, do të lidhen me rrjetin dhe do të ofrojnë shërbime fleksibiliteti.


Me rritjen e kapaciteteve të reja prodhuese, depozitimi po shndërrohet në një pjesë të rëndësishme të infrastrukturës energjetike. Kuadri i ri ligjor dhe regjistrimi i impianteve ekzistuese përbëjnë hapat e parë drejt integrimit të këtij aktiviteti në sistemin elektrik shqiptar.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat