Secondary Adv

Pronat shtet-privat, çfarë parashikon drafti i ri për zgjidhjen e konflikteve të pronësisë

Konfliktet mbi pronat shtetërore, për të cilat subjektet private disponojnë tituj pronësie, synohen të trajtohen përmes procedurave të reja të parashikuara në projektligjin “Për pronat e paluajtshme të shtetit në Republikën e Shqipërisë”.

Konfliktet për pronat shtetërore, mbi të cilat subjektet private disponojnë tituj pronësie, synohen të trajtohen përmes procedurave të reja të parashikuara në projektligjin “Për pronat e paluajtshme të shtetit në Republikën e Shqipërisë”, të hedhur për konsultim publik. Drafti përcakton një afat 12-mujor për paraqitjen e kërkesave për regjistrimin e titujve që nuk figurojnë në regjistrat hipotekorë ose kadastralë.


Sipas nenit 38 të projektligjit, subjektet private që disponojnë tituj pronësie të lëshuar nga organet administrative përpara hyrjes në fuqi të ligjit, për prona të paluajtshme shtetërore që nuk janë pasqyruar në regjistrat hipotekorë dhe/ose në regjistrin kadastral, duhet të paraqesin kërkesë për regjistrim pranë Agjencisë Shtetërore të Pronës brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.


Nëse kërkesa refuzohet, Agjencia nuk e regjistron pronën, por vendos në regjistrin kadastral shënimin përkatës mbi ekzistencën e pretendimit për të drejtën e pronësisë. Sipas draftit, refuzimi i regjistrimit nuk sjell efekte mbi vlefshmërinë ose pavlefshmërinë e titullit të pronësisë.


Pronat publike dhe jopublike do të trajtohen ndryshe

Kur kërkesa e paraqitur brenda afatit njëvjeçar lidhet me një pasuri të paluajtshme shtetërore publike, e cila sipas legjislacionit përkatës nuk mund të tjetërsohej, Agjencia Shtetërore e Pronës duhet të njoftojë Avokaturën e Shtetit. Kjo e fundit mund të ushtrojë padi për konstatimin e pavlefshmërisë së titullit të pronësisë, sipas legjislacionit në fuqi.


Nëse pasuria është pronë shtetërore jopublike, Agjencia njofton institucionin shtetëror përgjegjës dhe procedon me përditësimin e inventarit dhe listave të pronave shtetërore, sipas parashikimeve të ligjit të ri.


Këto procedura nuk zbatohen kur subjekti disponon një vendim gjyqësor të formës së prerë, i cili ka përcaktuar të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme që është objekt shqyrtimi.


Konfliktet mund të përfundojnë në gjykatë

Subjekti të cilit i refuzohet plotësisht ose pjesërisht regjistrimi ka të drejtë t'i drejtohet gjykatës për zgjidhjen e pretendimeve mbi të drejtën e pronësisë. Në këto raste, Agjencia Shtetërore e Pronës duhet të njoftojë Avokaturën e Shtetit për ekzistencën e konfliktit dhe t'i përcjellë dokumentacionin përkatës, me qëllim përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të Republikës së Shqipërisë në procesin gjyqësor.


Projektligji parashikon gjithashtu lehtësi për subjektet që paraqesin titullin për regjistrim brenda afatit 12-mujor, duke i përjashtuar nga detyrimi për pagesën e kamatëvonesave. Nëse titulli paraqitet pas përfundimit të këtij afati, subjekti humbet të drejtën e përjashtimit dhe zbatohet kamatëvonesa e plotë, e llogaritur që nga fillimi i vonesës në paraqitjen e kërkesës për regjistrim.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat