Secondary Adv

Manifaktura Shqiptare kërkon përfshirje të drejtpërdrejtë të industrisë në negociatat me BE

Shoqata “Manifaktura Shqiptare” i ka kërkuar Ambasadës së BE-së në Shqipëri përfshirjen më të drejtpërdrejtë të industrisë prodhuese në procesin e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE.

Sipas Shoqatës, procesi i integrimit ka hyrë në një fazë ku zbatimi konkret i reformave dhe përafrimi me legjislacionin europian do të ndikojnë drejtpërdrejt te ndërmarrjet, investimet, kostot e prodhimit, standardet teknike, marrëdhëniet e punës, energjia, mjedisi dhe konkurrueshmëria. Për këtë arsye, industria kërkon të konsultohet që në fazat e para të vendimmarrjes dhe jo vetëm pasi standardet dhe masat e reja të jenë miratuar.


“Manifaktura Shqiptare” vlerëson se dialogu për detyrimet konkrete të integrimit, kostot e zbatimit dhe gatishmërinë e ndërmarrjeve mbetet i kufizuar dhe jo mjaftueshëm i strukturuar. Sipas saj, mungesa e konsultimit të hershëm mund të sjellë miratimin e standardeve të reja pa një vlerësim të plotë të pasojave ekonomike, financiare dhe sociale, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.


Mbi 7 mijë ndërmarrje dhe 95 mijë të punësuar në industrinë përpunuese

Sipas të dhënave të INSTAT-it për vitin 2024, industria përpunuese përfshinte 7,187 ndërmarrje dhe rreth 95,300 të punësuar, duke përfaqësuar 17.4 për qind të punësimit në ndërmarrjet e tregut. Shoqata nënvizon se në shumë qytete industria mbetet një burim i rëndësishëm i punësimit formal, veçanërisht për gratë dhe vajzat, si dhe për zhvillimin rajonal.


Procesi i integrimit prek fusha që lidhen drejtpërdrejt me aktivitetin prodhues, përfshirë lëvizjen e lirë të mallrave, politikën industriale, punësimin, konkurrencën, doganat, energjinë, mjedisin, transformimin digjital dhe instrumentet financiare për zhvillimin rajonal.


Përshtatja me standardet e Tregut të Përbashkët Europian pritet të kërkojë investime në certifikimin dhe gjurmueshmërinë e produkteve, sigurinë dhe cilësinë, eficiencën energjetike, dekarbonizimin, ekonominë qarkulluese, trajtimin e mbetjeve, automatizimin, digjitalizimin dhe aftësimin profesional. Shoqata paralajmëron se, pa një hartë të qartë të detyrimeve, afateve dhe burimeve të financimit, një pjesë e bizneseve prodhuese mund të ketë vështirësi në përballimin e tranzicionit.


Sipas saj, këtyre kërkesave u shtohen edhe vështirësitë me të cilat sektori është përballur vitet e fundit, si zhvlerësimi i euros, rritja e kostove, mungesa e fuqisë punëtore, aksesi i kufizuar në financim dhe nevoja për investime në teknologji.


Kërkohet mekanizëm i rregullt konsultimi me industrinë

Në shkresën drejtuar Delegacionit të Bashkimit Europian, “Manifaktura Shqiptare” kërkon krijimin e një mekanizmi të rregullt konsultimi ndërmjet institucioneve shqiptare, Delegacionit të BE-së dhe organizatave përfaqësuese të industrisë. Shoqata kërkon gjithashtu përfshirjen e përfaqësuesve të industrisë në vlerësimet e ndikimit rregullator dhe financiar, përcaktimin e afateve dhe identifikimin e nevojave për masa tranzitore.


Ndër propozimet e tjera janë vlerësimi i gatishmërisë së industrisë shqiptare për standardet e Tregut të Përbashkët Europian dhe hartimi i një plani veprimi sipas sektorëve, krijimi i mundësive për asistencë teknike dhe akses më të mirë në fondet e BE-së për automatizimin, eficiencën energjetike, dekarbonizimin, certifikimin, inovacionin dhe aftësimin profesional, si dhe organizimi i një tryeze të përbashkët ndërmjet institucioneve, bizneseve prodhuese dhe ekspertëve të BE-së.


Shoqata ka kërkuar edhe një takim institucional me Ambasadoren Sofia Moreira de Sousa dhe përfaqësuesit e Delegacionit të Bashkimit Europian, për të prezantuar propozimet dhe për të diskutuar format e bashkëpunimit.


“Industria shqiptare duhet të përgatitet gjatë procesit të negociatave dhe jo vetëm pas anëtarësimit. Integrimi evropian duhet të shërbejë për modernizimin dhe forcimin e prodhimit vendas, jo ta gjejë atë të papërgatitur për kostot dhe detyrimet e reja”, është qëndrimi i Shoqatës “Manifaktura Shqiptare”.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat