Secondary Adv

BERZH rrit parashikimin për Shqipërinë, ekonomia pritet të zgjerohet me 3.5 për qind në 2026

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka rishikuar në rritje parashikimin për ekonominë shqiptare në vitin 2026.

BERZH pret një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto me 3.5 për qind, ose 0.1 pikë përqindjeje më shumë se parashikimi i publikuar në qershor.


Sipas raportit më të fundit “Regional Economic Prospects”, të publikuar në shtator 2026, parashikimi për vitin 2027 mbetet i pandryshuar, me një rritje prej 3.5 për qind. Ekonomia shqiptare vlerësohet se ka ruajtur ritme relativisht të larta edhe gjatë pjesës së parë të këtij viti. Pas një rritjeje prej 4 për qind në vitin 2024 dhe 3.8 për qind në vitin 2025, ekonomia u zgjerua me 3.7 për qind me bazë vjetore gjatë gjashtëmujorit të parë të 2026-s.


Shqipëria mbi mesataren e Ballkanit Perëndimor

Rishikimi për Shqipërinë vjen në një panoramë më të përzier për Ballkanin Perëndimor. BERZH parashikon që ekonomitë e rajonit të rriten mesatarisht me 3 për qind në vitin 2026 dhe me 3.5 për qind në vitin 2027. Parashikimi rajonal për këtë vit është rritur me 0.1 pikë përqindjeje krahasuar me vlerësimin e qershorit.


Rritja prej 3.5 për qind e parashikuar për Shqipërinë është 0.5 pikë përqindjeje mbi mesataren e Ballkanit Perëndimor. Sipas BERZH, aktiviteti ekonomik në rajon u ngadalësua nga 3.7 për qind në vitin 2024 në 2.6 për qind në vitin 2025, por u përshpejtua përsëri në 3.4 për qind gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Perspektiva pritet të mbështetet nga përmirësimi i kërkesës së jashtme, aktiviteti më i fortë investues dhe turizmi.


Për vitin 2026, BERZH parashikon rritje prej 3.5 për qind për Shqipërinë dhe Kosovën, 3.3 për qind për Maqedoninë e Veriut, 3.1 për qind për Malin e Zi dhe Serbinë dhe 2.1 për qind për Bosnjë-Hercegovinën. Për vitin 2027, parashikimi për Shqipërinë mbetet 3.5 për qind, ndërsa për Kosovën arrin në 3.9 për qind dhe për Serbinë në 3.8 për qind.


BERZH ul parashikimin për ekonomitë ku operon

Rishikimi në rritje për Shqipërinë vjen ndërkohë që BERZH ka ulur me 0.6 pikë përqindjeje parashikimin e rritjes për vitin 2026 për të gjitha ekonomitë ku operon, duke e çuar në 2.5 për qind. Duke përjashtuar Irakun, korrigjimi është 0.1 pikë përqindjeje dhe lidhet, ndër të tjera, me kushte më të shtrënguara financimi, efektet e thatësirës në Europë dhe ndërprerjet e tregtisë në Detin e Zi.


Raporti evidenton gjithashtu presionet nga tregjet energjetike. Çmimet e naftës u rritën ndjeshëm pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, ndërsa çmimet e gazit janë rritur me më shumë se 70 për qind që nga shkurti 2026. Ndërprerjet e transportit të drithërave në Detin e Zi kanë kontribuar gjithashtu në një rritje me më shumë se një të tretën të çmimit të grurit.


Pavarësisht mjedisit të jashtëm më të vështirë, BERZH ka rritur pritshmërinë për Shqipërinë. Rritja ekonomike prej 3.7 për qind e regjistruar në gjashtëmujorin e parë mbetet mbi projeksionin prej 3.5 për qind për të gjithë vitin 2026.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat