Pasuritë e paluajtshme përbëjnë më shumë se 22 për qind të aktiveve të sektorit të sigurimeve
Kompanitë e sigurimeve në Shqipëri rritën ndjeshëm ekspozimin ndaj pasurive të paluajtshme gjatë vitit 2025.
Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, sektori zotëronte toka dhe ndërtesa me vlerë 14.1 miliardë lekë, rreth 146 milionë euro, me një rritje prej 79 për qind krahasuar me një vit më parë.
Investimet në prona arritën në 30.5 për qind të totalit të investimeve të sektorit të sigurimeve, nga 18.7 për qind në vitin 2024. Në fund të vitit 2025, pasuritë e paluajtshme përbënin 22.3 për qind të aktiveve totale të tregut, nga 13.8 për qind një vit më parë.
Pesha e pronave është veçanërisht e lartë në sigurimet e Jo-Jetës, ku arriti në 23.6 për qind të aktiveve, nga 15 për qind në fund të vitit 2024. Në segmentin e sigurimit të Jetës, pasuritë e paluajtshme përbënin 12.3 për qind të aktiveve në fund të vitit 2025, krahasuar me 4.9 për qind një vit më parë.
65 për qind e pronave përqendrohen në një grup sigurimesh
Pasuritë e paluajtshme rezultojnë të përqendruara në një masë të konsiderueshme te një prej grupeve të sigurimit në vend. Tre kompanitë që janë pjesë e këtij grupi zotërojnë pothuajse 65 për qind të vlerës totale të pasurive të paluajtshme të sektorit.
Pesha e këtyre aseteve në bilanc është dukshëm më e lartë krahasuar me sektorin bankar. Në banka, të gjitha aktivet jofinanciare, ku përfshihen kryesisht pasuritë e paluajtshme, por jo vetëm ato, përbëjnë rreth 2.2 për qind të aktiveve totale.
Pronat zënë 30.5 për qind të portofolit të investimeve
Në kuadrin rregullator të mbështetur kryesisht në regjimin Solvency II, niveli i rekomanduar për peshën e aseteve jofinanciare në portofolin e investimeve paraqitet në intervalin 5-15 për qind. Në tregun shqiptar të sigurimeve, ky raport arrin në 30.5 për qind, ndërsa në segmentin e Jo-Jetës është edhe më i lartë, në 32.6 për qind.
Sipas këtij regjimi, mbajtja e sasive të mëdha të aseteve jofinanciare rrit kërkesat për kapital. Për investimet në pasuri të paluajtshme kërkohet një mbulim me kapital në masën 25 për qind, çka ndikon në eficiencën e përdorimit të kapitalit kur ekspozimi ndaj këtyre investimeve është i lartë.