Bankat fshinë 5 miliardë lekë kredi në gjysmën e parë të vitit
Bankat tregtare nxorën jashtë bilanceve rreth 5 miliardë lekë kredi gjatë gjysmës së parë të vitit 2026.
Sipas Bankës së Shqipërisë, vlera e kredive të fshira ishte 6 për qind më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe përbëhej kryesisht nga kredi në lekë të dhëna për bizneset.
Nxjerrja e një kredie të humbur jashtë bilancit është një veprim kontabël dhe nuk nënkupton heqjen dorë të bankës nga procesi ligjor për mbledhjen dhe rikuperimin e saj. Fshirja ndikon në uljen e raportit të kredive me probleme dhe nuk sjell efekt financiar shtesë për bankën.
Procesi i fshirjes së kredive të humbura mori përmasa të konsiderueshme në vitin 2015, kur Banka e Shqipërisë vendosi detyrimin rregullator për nxjerrjen jashtë bilanceve të kredive të klasifikuara si të humbura prej më shumë se tre vjetësh. Në vitin 2020, ky afat u shkurtua në dy vjet, me synimin për të nxitur pastrimin e mëtejshëm të portofoleve të bankave.
Nga janari 2015 deri në qershor 2026, bankat kanë fshirë nga bilancet më shumë se 1 miliard euro kredi. Ky proces ka ndikuar në uljen e raportit të kredive me probleme, i cili në periudhën kur nisën fshirjet në shkallë të gjerë kishte arritur pranë nivelit 25 për qind.
Kreditë me probleme zbresin në nivelin më të ulët në 15 vjet
Cilësia e portofolit të kredisë u përmirësua gjatë gjysmës së parë të vitit. Raporti i kredive me probleme zbriti në 3.7 për qind në fund të qershorit 2026, niveli më i ulët i regjistruar në 15 vitet e fundit.
Megjithatë, në vlerë absolute, kreditë me probleme u rritën në 37 miliardë lekë, rreth 1 miliard lekë më shumë krahasuar me fundin e vitit 2025. Raporti i kredive me probleme u ul me 0.1 pikë përqindjeje krahasuar me fundin e vitit të kaluar dhe me 0.3 pikë përqindjeje në terma vjetorë. Përmirësimi i cilësisë së portofolit ishte më i dukshëm te kreditë afatshkurtra, kreditë në lekë dhe ato të dhëna për bizneset.
Në strukturën e kredive me probleme u rrit pesha e kredive të klasifikuara si “nën standard”, duke arritur në 41 për qind në fund të qershorit 2026, nga 34 për qind në fund të vitit 2025. Në të njëjtën kohë, pesha e kredive të klasifikuara si “të humbura” u ul nga 47 për qind në 44 për qind, megjithëse ato vazhdojnë të zënë peshën kryesore në portofolin e kredive me probleme.