Secondary Adv

Shqetësimet e bankave, rritet perceptimi i rrezikut nga tregu i pronave dhe ai politik

Bankat perceptojnë rritje të rrezikut nga çmimet e pronave dhe zhvillimet politike gjatë gjysmës së parë të vitit 2026.

Perceptimi i sektorit bankar për rreziqet sistemike në vend ka ndryshuar gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, me një rritje të shqetësimit të lidhur me çmimet e pasurive të paluajtshme dhe rrezikun politik. Megjithatë, transferimi i goditjeve nga ekonomia e jashtme vijon të konsiderohet nga bankat si rreziku sistemik më i rëndësishëm.


Pas një zbutjeje të përkohshme në gjysmën e dytë të vitit 2025, vlerësimi për rrezikun që lidhet me ekonominë e jashtme është rritur përsëri gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, duke kaluar nga niveli “mesatar” në “i lartë”. Kjo ecuri reflekton pasiguritë e vazhdueshme në mjedisin ekonomik dhe gjeopolitik ndërkombëtar dhe potencialin e tyre për t’u transmetuar në ekonominë shqiptare.


Tregu i pronave ngjitet në vendin e dytë mes rreziqeve sistemike

Rreziku i lidhur me luhatjen e vlerës së pasurive të paluajtshme është klasifikuar si rreziku i dytë më i rëndësishëm sistemik i periudhës. Vlerësimi i bankave për këtë rrezik është rritur, duke kaluar nga niveli “i ulët” në “mesatar”.


Rritja e vazhdueshme e çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe ekspozimi i konsiderueshëm i sektorit bankar ndaj këtij tregu vazhdojnë ta mbajnë këtë rrezik në grupin e faktorëve që kërkojnë monitorim të vazhdueshëm. Megjithëse intensiteti i perceptuar nga bankat nuk vlerësohet ende i lartë, shqetësimi është në rritje, veçanërisht për ndikimin që një korrigjim i mundshëm i çmimeve mund të ketë në vlerën e kolateralit dhe në rrezikun e kredisë.


Zbutet perceptimi për ekonominë e brendshme dhe sulmet kibernetike

Përkeqësimi i ekonomisë së brendshme vijon të mbetet në grupin e rreziqeve më të rëndësishme sistemike. Në perceptimin e bankave, vlerësimi për këtë rrezik është

zbutur krahasuar me gjysmën e dytë të vitit 2025, por vazhdon të mbetet brenda nivelit “mesatar”.


Edhe sulmet kibernetike vijojnë të perceptohen si një nga rreziqet kryesore sistemike, megjithëse vlerësimi i sektorit bankar për rëndësinë e tyre ka rënë gjatë gjysmës së parë të vitit 2026 krahasuar me dy periudhat paraardhëse. Kjo mund të lidhet me investimet dhe strategjitë e ndërmarra nga bankat për kufizimin e këtij rreziku.


Pavarësisht kësaj, digjitalizimi gjithnjë e më i madh i shërbimeve financiare dhe kompleksiteti në rritje i kërcënimeve kibernetike e kanë kthyer këtë rrezik në një nga sfidat kryesore të aktivitetit bankar.


Rritet edhe perceptimi për rrezikun politik

Perceptimi i bankave për rrezikun politik ka shënuar rritje krahasuar me gjysmën e dytë të vitit 2025, duke u përfshirë në listën e rreziqeve kryesore sistemike. Ky perceptim lidhet me pasiguritë rreth zhvillimeve politike dhe institucionale në vend dhe ndikimin e mundshëm të tyre në pritjet e agjentëve ekonomikë dhe klimën e biznesit.


Megjithatë, sipas vlerësimit të bankave, rëndësia e rrezikut politik mbetet ndjeshëm më e ulët krahasuar me rreziqet e tjera kryesore sistemike.


Bankat ruajnë besimin te qëndrueshmëria e sistemit financiar

Në terma të përgjithshëm, deri në fund të gjysmës së parë të vitit 2026, bankat vlerësojnë se mundësia e materializimit të një ose disa prej rreziqeve sistemike në horizontin afatshkurtër, deri në një vit, mbetet nën nivelin mesatar, megjithëse perceptimi është rritur lehtë krahasuar me gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025.


Për horizontin afatmesëm, nga një deri në tre vjet, perceptimi i bankave për mundësinë e materializimit të këtyre rreziqeve mbetet më i lartë se ai afatshkurtër dhe ka shënuar gjithashtu rritje gjatë periudhës.


Nga ana tjetër, gjendja e mirë financiare e sektorit bankar dhe niveli i lartë i likuiditetit vijojnë të mbështesin besimin e bankave në qëndrueshmërinë e sistemit financiar. Ky besim mbetet mbi nivelin mesatar dhe pothuajse i pandryshuar krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat