Sigurimet drejt rregullave të reja, kapital sipas rrezikut dhe mbrojtje më e fortë për konsumatorët
Projektligji i ri për sigurimet sjell kërkesa për kapital sipas profilit të rrezikut dhe standarde më të forta për konsumatorët.
Kërkesat për kapital të shoqërive të sigurimit do të bazohen në profilin e rrezikut të veprimtarisë së tyre, ndërsa shpërndarja e produkteve të sigurimit do t’u nënshtrohet kërkesave të përforcuara për mbrojtjen e konsumatorit. Këto janë dy prej ndryshimeve kryesore që parashikon projektligji “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”.
Projektligji u prezantua gjatë një tryeze me drejtues të shoqërive të sigurimit, ku morën pjesë Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Adela Xhemali, dhe përfaqësues të Bankës Botërore. Sipas njoftimit zyrtar të AMF-së, kuadri i ri synon përafrimin me sistemin evropian Solvency II dhe Direktivën për Shpërndarjen e Sigurimeve (IDD).
Kapitali do të lidhet me profilin e rrezikut
Një prej ndryshimeve kryesore të reformës lidhet me mënyrën e përcaktimit të kërkesave për kapital për shoqëritë e sigurimit. Sipas modelit të ri, këto kërkesa do të bazohen në profilin e rrezikut të veprimtarisë së secilës shoqëri, në përputhje me qasjen e Solvency II.
Gjatë prezantimit të projektligjit, eksperti i Bankës Botërore Timo Broszeit theksoi se Solvency II e vendos qeverisjen korporative në thelb të regjimit të ri. Sipas tij, administrimi i rrezikut duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes strategjike të shoqërisë, duke rritur përgjegjësinë e organeve drejtuese për qëndrueshmërinë financiare dhe mbrojtjen e të siguruarve.
Rregulla më të forta për mbrojtjen e konsumatorëve
Një tjetër shtyllë e ndryshimeve lidhet me mënyrën e shpërndarjes së produkteve të sigurimit. Përafrimi me Direktivën për Shpërndarjen e Sigurimeve (IDD) synon forcimin e kërkesave për mbrojtjen e konsumatorit, ndërsa reforma në tërësi parashikon standarde më të larta për transparencën, qeverisjen dhe administrimin e rreziqeve.
“Kjo reformë nuk duhet parë vetëm në dimensionin e përmbushjes së detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit evropian. Për Autoritetin, ajo përbën një mundësi për të forcuar më tej qëndrueshmërinë e tregut të sigurimeve, standardet e qeverisjes, administrimin e rreziqeve, transparencën dhe mbrojtjen e konsumatorëve”, theksoi Xhemali.
Drejtoresha e AMF-së nënvizoi gjithashtu nevojën për angazhim, planifikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet Autoritetit dhe industrisë së sigurimeve për përgatitjen e tregut dhe zbatimin e reformës.
Mbështetje nga Banka Botërore dhe qeveria zviceriane
Xhemali vlerësoi mbështetjen e Bankës Botërore, me financim të SECO të qeverisë zviceriane, që ka asistuar Autoritetin gjatë procesit të hartimit të projektligjit. Mbështetja ka përfshirë ekspertizën për përgatitjen e një kuadri ligjor të përafruar me kërkesat evropiane, si dhe kontributin në adresimin e çështjeve që lidhen me zbatimin e tij në kontekstin e tregut shqiptar të sigurimeve.
Përfaqësuesit e tregut të sigurimeve diskutuan gjithashtu pritshmëritë e tyre nga procesi, mundësinë e shkëmbimit të eksperiencave me shoqëritë që kanë avancuar në këtë drejtim si pjesë e grupeve ndërkombëtare, si dhe angazhimin për mbështetjen e reformës, me fokus te ngritja e kapaciteteve dhe digjitalizimi.