Në kulmin e krizës, pritet të shtohet taksë e re për naftën 3 lekë/litër, efekti 40 mln euro/vit
Qeveria parashikon një tarifë të re për karburantet për financimin e rezervës së sigurisë, me nivel orientues 3 lekë për litër.
Në një periudhë kur çmimet e karburanteve mbeten të larta, barrës fiskale mbi to pritet t’i shtohet një tarifë e re për financimin e krijimit, mbajtjes dhe menaxhimit të rezervës së sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj. Në relacionin e projektligjit “Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”, qeveria merr si nivel orientues një tarifë prej 3 lekësh për litër, nga e cila parashikohet të arkëtohen deri në 3.75 miliardë lekë në vit, ose rreth 40 milionë euro.
Niveli prej 3 lekësh për litër është ende i supozuar dhe jo përfundimtar. Sipas relacionit, tarifa do të përcaktohet çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave, bazuar në propozimet e ministrive përgjegjëse. Të ardhurat e krijuara prej saj do të përdoren për blerjen e rezervës së karburanteve, depozitimin, mirëmbajtjen dhe kostot e tjera të lidhura me funksionimin e sistemit.
Rezerva parashikohet të krijohet brenda pesë viteve
Rezerva e sigurisë parashikohet të krijohet gjatë një periudhe pesëvjeçare. Nëse tarifa orientuese prej 3 lekësh për litër do të zbatohej në këtë nivel përgjatë kësaj periudhe, të ardhurat e arkëtuara do të arrinin në rreth 200 milionë euro.
“Me qëllim financimin e krijimit, mbajtjes dhe menaxhimit të rezervave të sigurisë së naftës dhe nënprodukteve të saj, është parashikuar dhe vendosja e një tarife për këtë qëllim”, përcaktohet në relacion. Tarifa do të aplikohet mbi sasitë e produkteve energjetike hidrokarbure që i nënshtrohen detyrimit për pagimin e akcizës, në përputhje me ligjin nr. 61/2012, datë 24.5.2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Vetë relacioni pranon se financimi i sistemit përmes kësaj tarife do të ndikojë në zinxhirin e kostove. “Kjo do të sjellë rritje të vlerës në zinxhirin e ngarkesës financiare dhe rezultatin final të çmimit të shitjes te konsumatori”, thuhet në dokument.
Nafta aktualisht ngarkohet me disa taksa dhe tarifa
Vendosja e tarifës së re mund të reflektohet në çmimin final të shitjes me pakicë të karburanteve. Aktualisht nafta në vend ngarkohet me TVSH, akcizë, taksën e qarkullimit, taksën e karbonit, tarifën e skanimit, taksat bashkiake dhe tarifën e rilicencimit.
Sipas të dhënave të paraqitura, barra e taksave përbën rreth 53% të çmimit final të naftës, ose rreth 90 deri në 100 lekë për litër. Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria ka një barrë të lartë fiskale mbi naftën, ndërsa në vende si Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Kosova mbi çmimin e shumicës llogariten akciza dhe TVSH-ja.
Kostoja e rezervës llogaritet deri në 42 milionë euro në vit
Volumi orientues i rezervës së sigurisë llogaritet në rreth 43.6 deri në 49 mijë tonë në vit, duke përfshirë naftën bruto dhe nënproduktet e saj, si diesel, benzinë, karburant për avionë dhe gaz të lëngshëm.
Në një nga skenarët e qeverisë parashikohet krijimi i rezervës me rreth 43.6 mijë tonë karburante. Peshën kryesore do ta mbajë nafta bruto me rreth 17.4 mijë tonë, e ndjekur nga dieseli me 13 mijë tonë dhe benzina me 8,720 tonë. Në sasi më të vogla parashikohet krijimi i rezervave për gazin e lëngshëm dhe karburantin e avionëve.
Vetëm blerja e karburanteve llogaritet të kushtojë rreth 39.4 milionë euro në vit, ndërsa kostoja e depozitimit vlerësohet në rreth 2.6 milionë euro në vit. Në total, këto dy zëra arrijnë në rreth 42 milionë euro.
Rezerva do të menaxhohet nga një autoritet shtetëror
Rezerva e sigurisë së naftës parashikohet të menaxhohet nga një autoritet shtetëror i posaçëm. Kostoja për ngritjen e tij llogaritet në 60 milionë lekë, ndërsa funksionimi vjetor, sipas skenarëve të paraqitur në relacion, parashikohet të kushtojë rreth 220 milionë lekë.
Të ardhurat vjetore të Autoritetit nga tarifa përllogariten në intervalin 3.4–3.75 miliardë lekë. Sipas relacionit, këto të ardhura do të mbulojnë funksionimin e Autoritetit, krijimin e rezervave përgjatë periudhës pesëvjeçare dhe kostot e mbajtjes së karburanteve të depozituara. Pas krijimit të plotë të rezervës, parashikohet të paguhet vetëm kostoja për depozitimin e saj.
Për zhvillimin e sistemit që do të përdoret për arkëtimin e tarifës parashikohet një kosto fillestare prej 20–30 milionë lekësh, ndërsa mirëmbajtja vjetore e sistemit llogaritet në 8–12 milionë lekë.
Shoqata e Hidrokarbureve kundërshton mënyrën e financimit
Shoqata e Hidrokarbureve ka ngritur më herët shqetësime për mënyrën se si parashikohet të financohet modeli i ri. Sipas Shoqatës, tarifa për financimin e krijimit të rezervës përbën një “taksë të fshehtë”, pasi, sipas argumentit të saj, nuk bëhet fjalë për një shërbim që shteti u ofron kompanive, por për financimin e një detyrimi publik përmes një tarife mbi karburantet.
Projektligji parashikon gjithashtu që Autoriteti për Rezervën e Sigurisë së Naftës të ketë të drejtën të kryejë blerje dhe shitje të naftës pa iu nënshtruar prokurimit publik, parashikim i justifikuar në relacion me natyrën specifike të funksionimit të rezervës. Kjo e drejtë përcaktohet në nenin 10 të projektligjit “Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)