Secondary Adv

Bizneset po kërkojnë dhe po marrin më shumë kredi

Kërkesa për kredi u rrit ndjeshëm në gjysmën e parë të 2026, ndërsa bankat ulën lehtë normën e refuzimit.

Kërkesa për kredi në sektorin bankar u rrit ndjeshëm gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, ndërsa paralelisht u përmirësua edhe shkalla e miratimit të aplikimeve. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, bankat morën gjithsej 90,380 aplikime për kredi gjatë kësaj periudhe.


Numri total i aplikimeve të shqyrtuara nga bankat u rrit me rreth 23%, si krahasuar me gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025, ashtu edhe me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja është mbështetur kryesisht nga kërkesa më e lartë për financim nga individët dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.


Rritje e fortë e kërkesës për kredi nga bizneset e vogla dhe të mesme

Numri i aplikimeve për kredi nga individët u rrit me 22.2% krahasuar me gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025 dhe me 20.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritje edhe më të fortë shënuan ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ku numri i aplikimeve u zgjerua me 42.3% në terma gjashtëmujorë dhe me 80.3% në terma vjetorë.


Në të kundërt, numri i aplikimeve nga kategoria “ndërmarrje të tjera”, ku përgjithësisht përfshihen ndërmarrjet e mëdha, ra lehtë me 0.6% krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar. Megjithatë, aplikimet e këtij segmenti mbeten 7.4% më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.


Bankat refuzuan 30.4% të aplikimeve

Nga aplikimet e marra në shqyrtim gjatë gjysmës së parë të vitit, 30.4% u refuzuan nga bankat. Norma e refuzimit ka rënë krahasuar me nivelin prej 31.6% të regjistruar në gjysmën e dytë të vitit 2025.


Norma më e lartë e refuzimit rezulton te individët, me 32.4%, ndërsa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ajo është 12.7%. Niveli më i ulët regjistrohet në kategorinë “ndërmarrje të tjera”, kryesisht bizneset e mëdha, ku vetëm 2.6% e aplikimeve janë refuzuar.


Krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, norma totale e refuzimit ka rënë me 1.1 pikë përqindjeje, ndërsa mbetet vetëm 0.5 pikë përqindjeje më e lartë se një vit më parë. Rënia është vërejtur në të tre segmentet e klientëve, por ka qenë më e theksuar te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ku treguesi është ulur me 2 pikë përqindjeje. Për individët norma e refuzimit ka rënë me 1.1 pikë përqindjeje dhe për kategorinë “ndërmarrje të tjera” me 0.9 pikë përqindjeje.


Bankat me kapital vendas rrisin refuzimet

Në bankat me kapital vendas, norma e përgjithshme e refuzimit u rrit në 11.1%, nga 8.0% në gjashtëmujorin e kaluar dhe 9.1% një vit më parë. Kjo ecuri është ndikuar kryesisht nga segmenti i individëve, ku norma e refuzimit arriti në 12.3%, nga 8.7% në gjashtëmujorin e mëparshëm.


Edhe te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme norma e refuzimit nga bankat me kapital vendas u rrit lehtë, në 7.8% nga 7.1%. Në të kundërt, për kategorinë “ndërmarrje të tjera” treguesi ra në 2.8%.


Bankat e huaja lehtësojnë kreditimin për SME-të

Në bankat me kapital të huaj, norma e përgjithshme e refuzimit mbeti pothuajse e pandryshuar, në 38.3%, kundrejt 38.2% në gjashtëmujorin e kaluar. Megjithatë, ecuria ndryshon ndjeshëm sipas kategorive të klientëve.


Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, norma e refuzimit ra në 19.4%, nga 21.3% në gjashtëmujorin e kaluar dhe 20.2% një vit më parë, duke sinjalizuar një lehtësim të qëndrimit kreditues ndaj këtij segmenti. Për individët, norma e refuzimit mbeti pothuajse e pandryshuar në 39.8%, ndërsa për kategorinë “ndërmarrje të tjera” zbriti lehtë në 2.4%.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat