Secondary Adv

24 për qind e familjeve që kanë një kredi paguajnë mbi 30 për qind të të ardhurave për këstin

Barra e kredisë është rritur për një pjesë të familjeve, ndërsa Banka e Shqipërisë evidenton dobësim të aftësisë paguese.

Megjithëse numri i familjeve me hua është në rënie, barra e borxhit është rritur për një pjesë të atyre që kanë kredi. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, 24% e familjeve huamarrëse deklaruan se shpenzojnë mbi 30% të të ardhurave të tyre mujore për pagesën e huasë, ndërsa Banka e Shqipërisë evidenton një dobësim të aftësisë paguese gjatë kësaj periudhe.


Sipas vrojtimit, vetëm 16% e familjeve të anketuara kishin të paktën një hua për të paguar në momentin e intervistimit. Kjo peshë ka rënë me rreth 1 pikë përqindjeje krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm dhe me 0.3 pikë përqindjeje ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Niveli aktual është gjithashtu dukshëm më i ulët se mesatarja historike prej 26%.


Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë është zhvilluar mbi një kampion prej 1,200 familjesh dhe ka pasur një shkallë përgjigjeje prej 89%.


Rritet pesha e familjeve me barrë më të lartë të kredisë

Ulja e numrit të familjeve huamarrëse nuk është shoqëruar me të njëjtin përmirësim të përballueshmërisë së borxhit. Rreth 76% e familjeve huamarrëse shpenzojnë më pak se 30% të të ardhurave mujore për pagesën e huasë, por kjo peshë është ulur me 3 pikë përqindjeje në gjashtë muaj dhe me 8 pikë përqindjeje në një vit. Në të njëjtën kohë është rritur pesha e familjeve që shpenzojnë mbi 30% të të ardhurave për këstin.


Në mënyrë më të detajuar, 33% e familjeve huamarrëse përdorin deri në 10% të të ardhurave për pagesën e huasë, 43% përdorin nga 10% deri në 30%, ndërsa 24% shpenzojnë mbi 30% të të ardhurave mujore për këtë qëllim.


Dobësohet aftësia paguese e familjeve

Banka e Shqipërisë evidenton gjithashtu një dobësim të aftësisë paguese të familjeve huamarrëse gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Rreth 51% e tyre deklaruan se aftësia për të paguar huanë nuk kishte ndryshuar gjatë periudhës.


Pritjet për gjysmën e dytë të vitit paraqiten disi më të qëndrueshme. Rreth 70% e familjeve huamarrëse nuk presin ndryshim të aftësisë së tyre paguese.


62% e familjeve nuk planifikojnë kredi të re

Pavarësisht zhvillimeve në barrën e borxhit, nuk pritet një rritje e fortë e huamarrjes së re. Rreth 62% e familjeve deklarojnë se nuk presin të marrin një hua të re gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. Kjo përqindje është ulur me 1 pikë përqindjeje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 3 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë.


Banka e Shqipërisë e interpreton këtë ecuri si tregues të një kërkese përgjithësisht të qëndrueshme të familjeve për kredi gjatë pjesës së dytë të vitit.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat