Secondary Adv

BE vë në dispozicion 922 mln euro, por investimet me financim të huaj bien 20 për qind në 8 mujor

Investimet publike me financim të huaj ranë në 10 miliardë lekë, ndërsa Shqipëria ka në dispozicion 922.1 milionë euro nga BE.

Shqipëria po hyn në një periudhë me mundësi ndjeshëm më të mëdha financimi nga Bashkimi Europian, por ndërkohë realizimi i investimeve publike me financim të huaj ka shënuar rënie. Të dhënat zyrtare të buxhetit për 8-mujorin 2026 tregojnë se shpenzimet kapitale me financim të huaj arritën në 10 miliardë lekë, nga 12.5 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.


Në krahasim me 8-mujorin 2025, investimet e realizuara me financim të huaj janë ulur me 2.5 miliardë lekë, ose 20%. Realizimi ka mbetur gjithashtu ndjeshëm nën planin e periudhës. Për janar-gusht 2026 ishin parashikuar 13.6 miliardë lekë, ndërsa faktikisht janë shpenzuar 10 miliardë lekë, ose rreth 73.5% e planit. Diferenca mes planifikimit dhe realizimit arrin në 3.6 miliardë lekë.


922.1 milionë euro në dispozicion nga Plani i Rritjes

Rënia e investimeve të financuara nga burime të huaja vjen në një periudhë kur Shqipëria pritet të ketë në dispozicion një volum shumë më të madh financimesh nga Bashkimi Europian. Në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Shqipërisë i është caktuar një portofol prej 922.1 milionë eurosh për periudhën e zbatimit të Mekanizmit të Reformës dhe Rritjes.


Financimi përfshin grante dhe kredi me kushte të favorshme dhe lidhet me realizimin e reformave të përcaktuara në Agjendën e Reformave. Sipas të dhënave zyrtare shqiptare, nga totali prej 922.1 milionë eurosh, rreth 429 milionë euro përbëjnë mbështetje direkte për buxhetin, 265 milionë euro janë grante për investime përmes Western Balkans Investment Framework (WBIF), ndërsa 228 milionë euro janë kredi të favorshme për projekte infrastrukturore.


Deri në maj ishin çliruar 212.8 milionë euro

Deri më 20 maj 2026, Shqipërisë i ishin çliruar gjithsej 212.8 milionë euro, ose rreth 23.1% e shumës së përgjithshme të parashikuar. Kjo shumë përfshin 64.5 milionë euro parafinancim, 99.3 milionë euro të çliruara në tetor 2025 dhe një këst tjetër prej 49 milionë eurosh në maj 2026.


Nga kësti prej 99.3 milionë eurosh, 46.2 milionë euro u përcaktuan për t’u transferuar drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër u destinua për projekte infrastrukturore përmes WBIF.


Pagesat varen nga realizimi i reformave dhe projekteve

Fondet e parashikuara në kuadër të Planit të Rritjes nuk disbursohen automatikisht. Pagesat lidhen me përmbushjen e hapave të përcaktuar në Agjendën e Reformave, ndërsa një pjesë e financimeve për investime duhet të kalojë përmes procesit të përgatitjes dhe miratimit të projekteve në WBIF.


Në këtë kontekst, rritja e financimeve potencialisht të disponueshme nga Bashkimi Europian shton rëndësinë e kapaciteteve të institucioneve shqiptare për përgatitjen, kontraktimin dhe zbatimin në kohë të projekteve. Të dhënat e 8-mujorit tregojnë se investimet me financim të huaj jo vetëm janë më të ulëta se një vit më parë, por kanë mbetur edhe 26.5% nën planin e periudhës.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat