Rimbursimi i TVSH rënie vjetore me 33 për qind në 8-mujor, 4.7 mld lekë më pak për bizneset
Rimbursimet e TVSH-së ranë në 9.6 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat neto nga kjo taksë u rritën me 24.2%.
Rimbursimet e TVSH-së për bizneset kanë shënuar një rënie të fortë gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026, duke zbritur me gati një të tretën krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nga janari deri në gusht janë rimbursuar gjithsej 9.6 miliardë lekë, me një rënie vjetore prej 32.7%.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se, në të njëjtën periudhë, të ardhurat neto nga TVSH-ja në vend arritën në 56.8 miliardë lekë, ose 24.2% më shumë se në tetëmujorin e vitit të kaluar. Një pjesë e kësaj rritjeje lidhet matematikisht edhe me nivelin më të ulët të rimbursimeve.
Vetëm diferenca prej 4.7 miliardë lekësh në rimbursime përfaqëson rreth 42% të shtesës prej 11.1 miliardë lekësh të të ardhurave neto nga TVSH-ja krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, të ardhurat bruto, ose totale, nga TVSH-ja janë rritur me vetëm 6.6% me bazë vjetore gjatë tetëmujorit.
Rënia më e fortë e rimbursimeve u regjistrua në qershor
Të dhënat e detajuara tregojnë se rënia e rimbursimeve është shpërndarë pothuajse në të gjithë muajt. Përjashtim bën prilli, kur bizneset morën 2.76 miliardë lekë rimbursime, ose 938 milionë lekë më shumë se në prill 2025.
Diferenca më e fortë u regjistrua në qershor. Gjatë këtij muaji u rimbursuan rreth 2 miliardë lekë, nga 4.28 miliardë lekë një vit më parë, ose 52.5% më pak. Një nga faktorët që ndikon në krahasimin vjetor është edhe baza e lartë e vitit të kaluar, kur në disa muaj u kryen pagesa të mëdha rimbursimesh. Në korrik 2025, për shembull, rimbursimet arritën në 1.84 miliardë lekë, kundrejt vetëm 843 milionë lekëve në korrik të këtij viti.
Rimbursimet varen edhe nga kërkesat e bizneseve
Një faktor tjetër lidhet me volumin dhe kohën e paraqitjes së kërkesave nga bizneset. Rimbursimi nuk kryhet automatikisht mbi bazën e xhiros së ekonomisë, por varet nga krijimi i tepricës kreditore të TVSH-së dhe nga kërkesat që bizneset paraqesin për kthimin e saj.
Sipas administratës tatimore, bizneset joeksportuese mund të kërkojnë rimbursim kur kanë një tepricë të TVSH-së së zbritshme mbi 400 mijë lekë, të mbartur për tre periudha radhazi. Për eksportuesit zbatohen procedura të veçanta, me afate rimbursimi që mund të jenë 30 ditë, ndërsa për kategori të tjera afati arrin deri në 60 ditë.
Për rrjedhojë, niveli mujor i rimbursimeve mund të luhatet në varësi të momentit kur bizneset krijojnë kredinë e TVSH-së, paraqesin kërkesën dhe përfundojnë procedurat e verifikimit. Kërkesat i nënshtrohen analizës së riskut dhe, në raste të caktuara, edhe kontrollit tatimor përpara miratimit.
Eksportuesit përballen me vështirësi
Në ecurinë e rimbursimeve ndikojnë edhe zhvillimet në sektorët kryesorë të eksportit. Fabrikat fason, të cilat janë ndër përfituesit kryesorë të rimbursimit të TVSH-së, po përballen me vështirësi dhe kanë ulur ritmet e investimeve dhe të eksporteve.