Secondary Adv

Një e treta e kredisë së bizneseve është për blerjen e pasurive të paluajtshme

Rritja e kreditimit të bizneseve po orientohet gjithnjë e më fort drejt tregut të pasurive të paluajtshme.

Në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, kredia bankare për bizneset vendase ishte rritur me rreth 9% në terma vjetorë, ndërsa 55% e kontributit në këtë rritje erdhi nga aktivitetet e pasurive të paluajtshme, sipas Bankës së Shqipërisë.


Kreditimi u zgjerua në disa sektorë të ekonomisë, përfshirë energjinë, gazin dhe avullin, tregtinë, industrinë përpunuese, akomodimin dhe pasuritë e paluajtshme. Megjithatë, pesha e këtij të fundit në rritjen totale ishte dukshëm më e madhe se e sektorëve të tjerë.


Edhe mënyra e përdorimit të huasë tregon peshën në rritje të pronave. Kreditë për blerjen e pasurive të paluajtshme përbëjnë 35% të stokut të kredisë së bizneseve, ndërsa kreditë-kufi zënë edhe 23%. Banka e Shqipërisë vëren se kredia për blerjen e pasurive të paluajtshme, veçanërisht ajo në monedhë të huaj, ka dhënë kontributin kryesor në zgjerimin e tepricës së kredisë për bizneset që prej fillimit të vitit 2024.


Rritja e kreditimit gjatë gjysmës së parë të vitit është mbështetur veçanërisht nga financimet për investime në valutë. Kjo kategori dha rreth 5 pikë përqindjeje në rritjen vjetore të përgjithshme të kredisë. Sipas monedhës, kredia e bizneseve në lek u rrit me 7%, ndërsa ajo në valutë me 11%.


Megjithëse kreditimi është rritur, bizneset kanë shtuar paralelisht edhe kursimet në sistemin bankar. Në 12 muajt deri në qershor 2026, depozitat e bizneseve u rritën me rreth 60 miliardë lekë, ndërsa stoku i kredisë u shtua me 40 miliardë lekë. Diferenca mes kredive dhe depozitave të bizneseve mbeti rreth 190 miliardë lekë, duke i mbajtur ndërmarrjet në një pozicion neto debitor ndaj bankave.


Kostoja e huamarrjes ndërkohë mbeti relativisht e qëndrueshme. Norma e interesit për kreditë e reja për bizneset në lek, pasi u rrit në fillim të vitit, ra gradualisht dhe e mbylli periudhën në rreth 6%. Norma mesatare për kreditë e reja në euro ka qenë disi më e ulët, por Banka e Shqipërisë thekson se diferenca mes dy monedhave është pothuajse e papërfillshme.


Kërkesa e bizneseve për kredi u rrit gjatë dy tremujorëve të parë të vitit, ndërsa standardet dhe kushtet e përgjithshme të kreditimit mbetën përgjithësisht të pandryshuara. Bankat presin që kërkesa të mbetet e qëndrueshme në vijim, por sinjalizojnë një lehtësim të mundshëm të standardeve për bizneset e vogla dhe të mesme.



Burimi: ekofin.al


Më të lexuarat