Secondary Adv

27 për qind e ndërtuesve kanë një borxh më të lartë ose sa kapitali

Bizneset shqiptare raportojnë një përmirësim të aftësisë për të përballuar pagesat e huave, edhe pse ngarkesa e borxhit në raport me kapitalin është rritur.

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, raporti mesatar i huasë ndaj kapitalit arriti në 79%, ndërsa për shumicën dërrmuese të ndërmarrjeve kostoja e shërbimit të huasë mbeti nën 20% të të ardhurave.


Të dhënat tregojnë se 31% e ndërmarrjeve kanë aktualisht hua për të paguar, një peshë që është ulur me 4 pikë përqindjeje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 2 pikë përqindjeje ndaj një viti më parë. Rënia ka ardhur kryesisht nga ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha, ndërsa te bizneset e vogla pesha e huamarrësve është rritur. Rreth 85% e ndërmarrjeve e konsiderojnë nivelin e tyre të huamarrjes të përshtatshëm, 9% e vlerësojnë të ulët dhe vetëm 6% të lartë.


Megjithatë, ngarkesa e huasë ndaj kapitalit është rritur. Raporti mesatar arriti në 79%, me rritje më të fortë te ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha dhe në sektorin e shërbimeve. Sipas vetëraportimit, 84% e bizneseve deklarojnë se vlera totale e huasë është afërsisht sa gjysma e kapitalit të tyre, 10% thonë se është pothuajse e barabartë me kapitalin dhe 6% se e tejkalon atë.


Ndërtimi mbetet sektori me ngarkesën më të lartë të borxhit ndaj kapitalit. Në gjashtëmujorin e parë të 2026-s, 27% e ndërmarrjeve të ndërtimit deklaruan se huaja e tyre ishte e barabartë ose më e lartë se kapitali. Kjo përqindje ishte 17% në shërbime, 18% në tregti dhe vetëm 8% në industri. Në ndërtim, treguesi ka mbetur në të njëjtin nivel prej 27% si në gjashtëmujorin e dytë të 2025-s, ndërsa në industri ka rënë nga 13% në 8%.


Nga ana tjetër, barra reale e pagesës së huasë ndaj të ardhurave është lehtësuar. Për 81% të ndërmarrjeve, kostoja e shërbimit të huasë arrin deri në 20% të të ardhurave, ndërsa për pjesën tjetër është në intervalin 20%-50%. Banka e Shqipërisë vëren se barra e pagesës ka rënë për të tre grupet e ndërmarrjeve. Megjithatë, bizneset e vogla mbeten më të ekspozuara: rreth 23% e tyre raportojnë se pagesa e huasë u merr më shumë se 20% të të ardhurave.


Pritjet për koston e huamarrjes janë kryesisht të qëndrueshme. 81% e ndërmarrjeve nuk presin ndryshim të kostos së huasë në gjysmën e dytë të vitit 2026, ndërsa 8% presin rritje dhe 4% rënie. Megjithatë, gatishmëria për të marrë kredi të reja duket më e dobët: 39% e bizneseve deklarojnë se nuk ka asnjë mundësi të kërkojnë kredi bankare gjatë gjashtëmujorit të ardhshëm, ndërsa pesha e atyre që mendojnë se mund të aplikojnë për financim ka rënë, veçanërisht te ndërmarrjet e vogla.


Sipas të dhënave, gjendja financiare e bizneseve vlerësohet pozitive. Rreth 94% e ndërmarrjeve të vrojtuara deklaruan se operuan me fitim në gjysmën e parë të vitit 2026, ndërsa shitjet ishin më të mira se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sfidat kryesore të raportuara mbeten konkurrenca, kostot e prodhimit dhe, për ndërmarrjet e mëdha, gjetja e tregut dhe stafit të kualifikuar.


Burimi: ekofin.al


Më të lexuarat