Secondary Adv

Kapitali po zë vendin e borxhit te bizneset, huatë mbeten rreth 800 mld lekë

Raporti borxh/kapital i bizneseve ra në rreth 30% në 2025, nga mbi 80% në vitin 2013.

Bizneset shqiptare kanë ndryshuar ndjeshëm strukturën e financimit gjatë dekadës së fundit, duke u mbështetur gjithnjë e më shumë te kapitali dhe më pak te borxhi. Sipas Raportit të Stabilitetit Financiar të Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, raporti borxh/kapital ka rënë në rreth 30% në vitin 2025, nga mbi 80% në vitin 2013.


Ndryshimi nuk ka ardhur nga një tkurrje e fortë e borxhit të bizneseve, por kryesisht nga zgjerimi i kapitalit të investuar në ndërmarrje. Stoku i borxhit, që përfshin huatë dhe letrat me vlerë të borxhit, ka qëndruar rreth nivelit 800 miliardë lekë. Në të njëjtën kohë, detyrimet në formën e kapitalit janë shtuar me rreth 1,700 miliardë lekë gjatë periudhës 2013-2025, duke arritur në 2,700 miliardë lekë.


Kapitali arrin në 2,700 miliardë lekë

Zgjerimi i fortë i kapitalit ka ndryshuar ndjeshëm peshën që zë borxhi në financimin e ndërmarrjeve. Sipas Bankës së Shqipërisë, varësia e bizneseve nga kapitali vendas dhe i huaj është tashmë disa herë më e lartë se varësia nga financimi përmes borxhit.


Megjithatë, në vlerë absolute, pozicioni debitor i sektorit të biznesit vijoi të zgjerohej. Në fund të vitit 2025 ai arriti në rreth 2,870 miliardë lekë, ose 8% më shumë se një vit më parë. Në raport me madhësinë e ekonomisë, situata paraqitet ndryshe, pasi pozicioni neto debitor ra në 108% të PBB-së, nga 118% që kishte arritur në vitet 2020-2021.


Gjysma e financimit neto vjen nga jorezidentët

Një pjesë e konsiderueshme e financimit të ndërmarrjeve vjen jashtë sistemit tradicional të kreditimit bankar. Jorezidentët sigurojnë rreth 50% të financimit neto të sektorit të biznesit, ndërsa ekonomitë familjare vendase përbëjnë rreth 40%. Pjesa tjetër e financimit vjen nga sektori i qeverisë së përgjithshme.


Kjo strukturë tregon se zgjerimi i pozicionit debitor të bizneseve nuk duhet interpretuar i gjithi si rritje e huamarrjes bankare. Ndërsa stoku i borxhit ka qëndruar rreth 800 miliardë lekë, rritja e kapitalit të investuar ka qenë faktori kryesor që ka ulur raportin borxh/kapital të ndërmarrjeve gjatë viteve të fundit.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat