Blegtorët i drejtohet qeverisë me 7 kërkesa, nga heqja e akcizës te nafta te rialokimi i fondeve
Blegtorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga qeveria dhe paralajmërojnë rikthimin e protestave nëse kërkesat nuk plotësohen.
Sektori i blegtorisë po përballet me vështirësi për shkak të kostove të larta dhe nivelit të ulët të subvencioneve. Përfaqësues të blegtorëve kanë rikthyer në vëmendje mundësinë e protestave nëse institucionet nuk ndërhyjnë për plotësimin e kërkesave të tyre.
Disa blegtorë prodhues, përfaqësues të sektorit, i janë drejtuar me një letër Kryeministrit Edi Rama, ministrit të Bujqësisë Andis Salla dhe ministrit të Financave Petrit Malaj, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për situatën në sektorin e qumështit. Ata kujtojnë dakordësimin e arritur në takimin e 7 prillit 2026 me ministrat e Bujqësisë dhe Financave, kur, sipas tyre, ishte rënë dakord që problematikat e sektorit të trajtoheshin në shtator.
“Aktualisht blegtoria është në kushte të vështira mbijetese dhe nevoja për zgjidhjen e kërkesave tona bëhet përditë edhe më emergjente. Kemi pritur Shtatorin sipas dakordësimit të bërë në takimin e datës 07.04.2026, por kjo pritje nuk mund të shtyhet më tej. E rrjedhur kjo nga problematikat që janë të njohura, por dhe ato të pa parashikuara që ndodhet sot tregu në Shqipëri”, thuhet në letrën e tyre.
Kërkohet heqja e akcizës dhe taksave mbi naftën
Blegtorët kanë paraqitur shtatë kërkesa konkrete për qeverinë. Një prej tyre lidhet me uljen e kostove të prodhimit përmes heqjes së akcizës dhe taksave mbi naftën për sektorin e blegtorisë.
Kjo kërkesë ishte edhe në qendër të protestave të fermerëve në fillim të muajit prill, kur u kërkua rikthimi i skemës së naftës së subvencionuar. Heqja e skemës erdhi në një periudhë kur çmimet e karburanteve dhe inputeve bujqësore pësuan rritje të konsiderueshme, duke shtuar presionin mbi kostot e prodhimit të fermerëve dhe blegtorëve.
Kërkohet rialokimi i fondeve të skemës së kompensimit të TVSH-së
Një tjetër kërkesë financiare është që pjesa e fondeve të parealizuara nga skema e kompensimit 10% të TVSH-së të rialokohet për subvencionimin e blegtorëve. Pra, fondet e parashikuara për kompensimin e TVSH-së, por të papërdorura, kërkohet të orientohen drejt mbështetjes së sektorit të blegtorisë.
Aplikimet për kompensimin 10% të TVSH-së kanë nisur më 1 korrik. Efekti financiar në vitin e parë të zbatimit llogaritet rreth 1.5 miliardë lekë, ose rreth 15 milionë euro. Blegtorët kanë ngritur më herët shqetësimin se skema mund të mos jetë efikase, pasi masa e kompensimit përcaktohet në bazë të autofaturave të lëshuara nga grumbulluesit për blerjet e kryera te fermerët dhe blegtorët, të cilat, sipas tyre, në shumë raste lëshohen me vlera që u shërbejnë grumbulluesve për rregullimin e bilanceve.
Subvencione më të larta dhe laborator shtetëror për qumështin
Blegtorët kërkojnë gjithashtu rishikimin e skemave ekzistuese të mbështetjes dhe shtimin e subvencioneve. Sipas prodhuesve, niveli aktual i mbështetjes nuk është i mjaftueshëm për të përballuar kostot dhe vështirësitë me të cilat përballet sektori.
Mes kërkesave të tjera janë krijimi i një laboratori shtetëror për kryerjen e analizave të qumështit dhe vendosja e tarifave për produktet e vajit të palmës, qumështit pluhur dhe hirrës. Blegtorët kërkojnë gjithashtu forcimin e kontrolleve në kufi për qumështin e importuar, për aflatoksinë, proteinë, yndyrë dhe ngarkesë mikrobiologjike.
Një tjetër shqetësim lidhet me etiketimin e produkteve të bulmetit. Përfaqësuesit e sektorit kërkojnë që në etiketë të tregohet vendi i origjinës së qumështit të përdorur për prodhimin, përfshirë rastet kur për produktet e prodhuara në Shqipëri përdoret qumësht i importuar.
Blegtorët paralajmërojnë rikthimin e protestave
Në total, shtatë kërkesat e blegtorëve përfshijnë krijimin e laboratorit shtetëror për analizat e qumështit, uljen e çmimit të naftës përmes heqjes së akcizës dhe taksave, vendosjen e tarifave për produktet e vajit të palmës, qumështit pluhur dhe hirrës, rishikimin dhe shtimin e subvencioneve, përcaktimin në etiketë të vendit të origjinës së qumështit, rialokimin në subvencione të pjesës së parealizuar të skemës së kompensimit 10% dhe forcimin e kontrolleve në kufi për qumështin e importuar.
Përfaqësues të blegtorëve kishin ngritur edhe më herët për Monitor shqetësimin për vështirësitë e sektorit dhe kishin paralajmëruar rikthimin e protestave nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh nga institucionet.
“Kërkesat e sipërcituara janë jetike për situatën ku ndodhet aktualisht sektori i blegtorisë dhe rrjedhimisht kërkojmë një takim të përbashkët me të dy Ministritë sa më parë që të jetë e mundur pasi çdo ditë e më tepër po vështirësohet mbijetesa e këtij sektori”, theksojnë blegtorët në letrën e tyre.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)