Ndalimi i importit të mishit nga Brazili, paralajmërohet rritje çmimesh deri në 40 për qind
Çmimet e mishit të viçit, pulës dhe nënprodukteve të tyre pritet të rriten nga 12 deri në 40 për qind duke nisur nga nëntori, sipas përpunuesve të mishit.

Paralajmërimi vjen pas kufizimeve që prej 3 shtatorit 2026 prekin importet nga Brazili, një prej furnizuesve kryesorë të tregut shqiptar.
Përpunues të kontaktuar nga Monitor pohojnë se efektet ende nuk janë reflektuar në çmimet e pakicës, pasi kompanitë po përdorin furnizimet e siguruara përmes kontratave të lidhura përpara 3 shtatorit. Rezervat në magazina mund të zgjasin gjatë shtatorit dhe tetorit, ndaj kostot e reja pritet të bëhen më të dukshme nga nëntori, ndërsa rritja më e fortë e çmimeve mund të shfaqet gjatë dhjetorit.
Sipas përpunuesve, çmimet për furnizimin me mish viçi dhe pule nga tregjet europiane janë aktualisht 12 deri në 40 për qind më të larta krahasuar me Brazilin. Çmime më të larta raportohen edhe për alternativa të tjera furnizimi, si Paraguai, Argjentina dhe Uruguai.
Filetoja e pulës mund të arrijë në 450 lekë për kilogram
Një nga produktet që pritet të preket më shumë është gjoksi i pulës, i përdorur gjerësisht edhe nga industria përpunuese, veçanërisht për prodhimin e proshutës së pulës. Për disa kompani, ky produkt përbën deri në 15 për qind të importeve totale.
Aktualisht, çmimi me shumicë i filetos së pulës luhatet në rreth 320-330 lekë për kilogram. Me furnizimet e reja nga tregjet europiane, përpunuesit vlerësojnë se çmimi mund të arrijë deri në 450 lekë për kilogram. Ukraina dhe Rumania konsiderohen ndër alternativat me çmime më të ulëta në tregun europian, por sipas përpunuesve, edhe në këto vende çmimet janë rreth 30-40 për qind më të larta krahasuar me produktin brazilian.
Mishi i viçit mund të shtrenjtohet me 300-400 lekë për kilogram
Efekti pritet të ndihet edhe te mishi i gjedhit. Përpunuesit përllogarisin se kostoja e furnizimit nga tregjet europiane do të jetë rreth 19 për qind më e lartë se nga Brazili, çka mund të sjellë rritje të kostos së produkteve dhe nënprodukteve të mishit me rreth 12-13 për qind.
Çmimi i mishit të freskët të viçit në tregun e pakicës aktualisht luhatet në rreth 1,300-1,350 lekë për kilogram. Sipas përpunuesve, furnizimet e reja mund ta rrisin çmimin me rreth 300-400 lekë për kilogram, duke e çuar në 1,600-1,700 lekë.
Brazili zë 33 për qind të importeve të mishit
Sipas të dhënave të INSTAT-it, gjatë periudhës janar-gusht 2026 importet e grupit “Mish dhe të brendshmet e ngrënshme të mishit” arritën në 10.7 milionë tonë, ndërsa Brazili përbënte 33 për qind të sasisë së importuar të këtij grupi. Pas Brazilit, peshën kryesore në importe e zënë SHBA-ja, Greqia dhe vende të tjera europiane.
Kufizimet që kanë nisur të zbatohen nga 3 shtatori 2026 prekin importet nga stabilimentet braziliane që nuk plotësojnë kushtet e certifikimit sipas rregullave të BE-së. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i ka kërkuar Autoritetit Kombëtar të Ushqimit të informojë operatorët që importojnë mish gjedhi dhe shpendësh nga Brazili për ndryshimet e reja.
Sipas Ministrisë, importi në Shqipëri i mishit të gjedhit dhe shpendëve me origjinë nga Brazili kushtëzohet nga miratimi i zonave dhe stabilimenteve të prodhimit nga Bashkimi Europian, sipas Urdhrit të Ministrit nr. 294, datë 13 qershor 2006.
Rregullorja Zbatuese e Komisionit Europian (BE) 2026/1189 ka ndryshuar Rregulloren (BE) 2021/405, duke sjellë kufizime të reja që lidhen me përdorimin e disa produkteve antimikrobike mjekësore. Si rezultat, Brazili është hequr nga lista përkatëse e vendeve të treta ose rajoneve të autorizuara për hyrjen në BE të dërgesave të disa kafshëve dhe produkteve me origjinë shtazore të destinuara për konsum njerëzor.
Meqenëse rregullat shqiptare e lidhin importin e mishit nga Brazili me miratimin e zonave dhe stabilimenteve nga BE-ja, Ministria sqaron se ndryshimet europiane reflektohen drejtpërdrejt edhe në zbatimin e rregullave shqiptare. Masat kanë nisur të aplikohen nga 3 shtatori 2026.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)