Kredia për shtëpi po zhvendoset drejt lekut, vetëm 26 për qind e portofolit mbetet në valutë
Familjet shqiptare po orientohen gjithnjë e më shumë drejt lekut për financimin e blerjes së banesave.
Në mesin e vitit 2026, kreditë në valutë përbënin vetëm 26 për qind të portofolit të kredisë për shtëpi, nga 60 për qind në vitin 2016.
Në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, portofoli i kredive për banesa në lek arriti në 190 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 21 për qind. Në të kundërt, portofoli në valutë zbriti në 68 miliardë lekë, duke u tkurrur me 6 për qind. Banka e Shqipërisë e lidh këtë ecuri me preferencën në rritje të individëve për të marrë kredi të reja për strehim në monedhën vendase.
Kredia për banesë përfaqëson tashmë rreth 64 për qind të stokut total të huamarrjes së individëve. Në fund të qershorit, kredia totale për individët ishte rritur me rreth 17 për qind krahasuar me një vit më parë, ndërsa financimi për blerjen e banesave vijoi të ishte kontribuuesi kryesor në zgjerimin e portofolit.
Interesat favorizojnë lekun për kreditë e banesave
Edhe diferenca mes normave të interesit favorizon aktualisht huamarrjen në lek për blerjen e banesave. Në fund të periudhës, norma e interesit për kreditë e reja për shtëpi ishte 3.8 për qind në lek dhe 5 për qind në euro.
Situata paraqitet ndryshe për kredinë totale të individëve, ku përfshihet edhe financimi për konsum. Norma e interesit në fund të periudhës ishte 8.9 për qind për kreditë në lek dhe 7.9 për qind për ato në euro.
Kërkesa për financim pritet të mbetet e lartë. Gjatë tremujorit të dytë, bankat lehtësuan standardet e kreditimit dhe rritën shkallën e miratimit të kredive për individët, zhvillim që ato e lidhin me konkurrencën më të lartë në sistemin bankar dhe tolerancën më të madhe ndaj rrezikut. Për tremujorin e tretë, bankat presin kërkesë të lartë si për kredi konsumatore, ashtu edhe për financimin e blerjes së banesave.