Të ardhurat nga kontributet kalojnë 134 mld lekë, rritja mbështet skemën e pensioneve
Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore arritën në 134.1 miliardë lekë gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026, rreth 15.9 miliardë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja është mbështetur nga shtimi i numrit të kontribuuesve dhe rritja e pagave.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në periudhën janar-gusht 2025 të ardhurat nga kontributet ishin 118.2 miliardë lekë, ndërsa në të njëjtën periudhë të këtij viti arritën në 134.1 miliardë lekë.
Një nga faktorët kryesorë është shtimi i të punësuarve që paguajnë sigurime. Sipas INSTAT-it, në fund të qershorit 2026 numri i kontribuuesve arriti në 776,022 punonjës, nga 759,854 në qershor 2025, me një rritje prej 16,168 punonjësish.
Gjatë dy viteve të fundit, administrata tatimore dhe Inspektorati i Punës kanë shtuar kontrollet në sektorin privat për reduktimin e punësimit të padeklaruar. Shtimi i kontribuuesve dhe i të ardhurave nga kontributet ndikon drejtpërdrejt në financimin e skemës së pensioneve, e cila prej vitesh rezulton me deficit për shkak të të ardhurave të pamjaftueshme për pagesën e rreth 755 mijë pensionistëve.
Paga mesatare arrin në 92,150 lekë
Një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e kontributeve është rritja e pagave. Paga mesatare në vend gjatë këtij viti ka arritur në 92,150 lekë, nga 83,906 lekë në tremujorin e dytë të vitit të kaluar.
Në këtë drejtim kanë ndikuar edhe kontrollet kundër nëndeklarimit të pagave, të nisura në vitin 2024, të shoqëruara me përcaktimin e pagave referuese fillimisht për sektorin e turizmit dhe më pas për ndërtimin.
Rriten edhe të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale
Rritja e pagave është reflektuar edhe në të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale. Sipas Ministrisë së Financave, gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026 u mblodhën 65.4 miliardë lekë, nga 56.7 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit 2025, ose 8.7 miliardë lekë më shumë.
Administrata tatimore ka paralajmëruar se kontrollet kundër informalitetit në tregun e punës do të vijojnë edhe gjatë këtij viti, me fokus ndër të tjera te pagat në shërbimet spitalore private dhe te tregtia online.