Instalimi i POS-eve për pagesat elektronike, Tatimet: Afati deri më 31 dhjetor
Tatimpaguesit që kryejnë shitje me para në dorë duhet të pajisen me terminal POS/POI në çdo pikëshitjeje brenda datës 31 dhjetor 2026.
Administrata Tatimore sqaron se afati zbatohet për subjektet që nuk përfshihen në kategoritë për të cilat janë përcaktuar afate të mëparshme.
Detyrimi për pajisjen me terminal POS/POI parashikohet në nenin 59/3 të ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Cilat kategori përjashtohen nga detyrimi
Nga detyrimi për pajisjen me terminal POS/POI përjashtohen tatimpaguesit që ushtrojnë aktivitet ekonomik në zona ku nuk ka mbulim me internet, si dhe subjektet që përjashtohen nga detyrimi për të lëshuar faturë sipas legjislacionit për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit.
Përjashtohen gjithashtu tatimpaguesit që plotësojnë njëkohësisht disa kushte: nuk janë subjekt i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, kanë përgjegjësi tatimore të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi, nuk kanë më shumë se një vendndodhje për ushtrimin e aktivitetit dhe kanë statusin ose kategorinë e punësimit “I vetëpunësuar i vetëm”.
Synohet zgjerimi i pagesave elektronike
Sipas Administratës Tatimore, përdorimi i terminaleve POS/POI synon të nxisë pagesat elektronike, duke ofruar shërbim më të shpejtë dhe më të përshtatshëm, duke lehtësuar pagesat për klientët dhe duke rritur transparencën e transaksioneve. Masa synon gjithashtu reduktimin e përdorimit të parasë cash dhe rritjen e formalizimit të ekonomisë.
Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve që janë subjekt i këtij detyrimi të marrin masat e nevojshme për instalimin e terminaleve POS/POI brenda afatit të përcaktuar, më 31 dhjetor 2026.