Secondary Adv

Efekti sezonal, depozitat në euro rriten me 236 milionë euro në gusht

Depozitat e bizneseve dhe individëve në banka vijuan rritjen gjatë gushtit 2026, por ndryshe nga korriku, kur dominonte monedha vendase, këtë herë zgjerimi u udhëhoq nga kursimet në valutë.

Prurjet e emigrantëve dhe të ardhurat nga turizmi, që arrijnë nivele të larta gjatë sezonit veror, kanë ndikuar në këtë ecuri.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në lekë arriti në 789.4 miliardë lekë në gusht. Krahasuar me muajin paraardhës, kursimet u rritën me rreth 1 për qind, ose 7.5 miliardë lekë.

Ritmi i rritjes ishte më i ngadaltë se gjatë periudhës prill-korrik, kur shtesa mujore e depozitave në lekë kishte kaluar 10 miliardë lekë. Në korrik, ndikimin kryesor në rritje e dhanë korporatat jofinanciare, ndërsa shtesa e kursimeve të individëve ishte minimale.

Në terma vjetorë, depozitat në lekë rezultojnë të rritura me 17.5 për qind, ose rreth 118 miliardë lekë.


Depozitat në euro përshpejtojnë rritjen

Ndryshe nga depozitat në lekë, kursimet në valutë përshpejtuan ndjeshëm ritmin e rritjes gjatë gushtit, të ndikuara nga faktorët sezonalë, përfshirë prurjet e emigrantëve dhe të ardhurat nga turizmi.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, depozitat në euro arritën në rreth 9.5 miliardë euro, duke u rritur me 2.54 për qind, ose 236 milionë euro, krahasuar me muajin e mëparshëm. Rritja erdhi si nga bizneset, ashtu edhe nga individët. Në gusht të vitit të kaluar, shtesa mujore e depozitave në euro kishte qenë 227 milionë euro.

Në terma vjetorë, depozitat në euro janë rritur me 12.3 për qind, ose me rreth 1 miliard euro. Të konvertuara në euro me kursin aktual, shtesa totale vjetore e depozitave në gusht 2026 ishte rreth 2.3 miliardë euro, ku afërsisht 55 për qind e rritjes erdhi nga depozitat në monedhën vendase.

Banka e Shqipërisë raporton se stoku total i depozitave, i shprehur në lekë, arriti në rreth 1.58 trilionë lekë në gusht. Prej tyre, rreth 789 miliardë lekë ishin depozita në monedhën vendase dhe një vlerë e përafërt prej 789 miliardë lekësh përfaqësonte depozitat në euro të konvertuara në lekë. Vlera e këtyre të fundit e shprehur në lekë ndikohet edhe nga zhvlerësimi i euros në kursin e këmbimit.

Burimi: Banka e Shqipërisë


Më të lexuarat