Zbehet ndërtimi, administrata dhe taksat sollën rreth 70 për qind të rritjes ekonomike në TII
Ekonomia shqiptare u rrit me 3.61 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2026, sipas INSTAT-it.
Kontributin kryesor në rritje e dhanë “Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia” dhe taksat neto, ndërsa ndërtimi, një prej motorëve të rritjes në vitet e fundit, ngadalësoi ndjeshëm ritmin.
“Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia” kontribuoi me 1.38 pikë përqindjeje në rritjen ekonomike, ndërsa taksat neto dhanë një kontribut prej 1.13 pikësh përqindjeje. Së bashku, këto dy komponentë siguruan gati 70 për qind të rritjes së regjistruar gjatë tremujorit të dytë.
Nga sektorët e tjerë, “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” dha një kontribut prej 0.98 pikësh përqindjeje, i mbështetur edhe nga aktiviteti turistik. Kontributi i ndërtimit u kufizua në 0.15 pikë përqindjeje, ndërsa aktivitetet e pasurive të paluajtshme kontribuuan me 0.36 pikë përqindjeje.
Industria iu rikthye kontributit pozitiv, me 0.05 pikë përqindjeje, pas disa tremujorësh me ecuri negative. Bujqësia vijoi të ndikojë negativisht në rritjen ekonomike, me një kontribut prej -0.38 pikësh përqindjeje.
Administrata publike rritet me 12.14 për qind, ndërtimi vetëm me 1.37 për qind
Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025, aktiviteti “Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia” regjistroi rritjen më të lartë, me 12.14 për qind, i ndjekur nga “Pasuritë e paluajtshme” me 7.20 për qind. Grupi “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” u rrit me 5.53 për qind, ndërsa “Aktivitetet financiare dhe të sigurimit” me 3.53 për qind.
“Informacioni dhe Komunikacioni” shënoi rritje prej 2.58 për qind, ndërtimi u zgjerua me vetëm 1.37 për qind, ndërsa grupi “Industri, Energji dhe Ujë” regjistroi rritje prej 0.47 për qind.
Në kahun negativ, “Bujqësi, Pyje dhe Peshkim” ra me 2.29 për qind, “Aktivitetet profesionale dhe Shërbimet administrative” me 2.17 për qind, ndërsa grupi “Arte, argëtim dhe çlodhje dhe aktivitete të tjera shërbimi” shënoi rënie prej 2.08 për qind.
Përshpejtohet konsumi i familjeve
Nga ana e shpenzimeve, konsumi final i popullatës u rrit në terma realë me 4.55 për qind krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar, ndërsa konsumi final i qeverisë u rrit me 4.15 për qind. Formimi bruto i kapitalit fiks shënoi një rritje më të moderuar prej 1.76 për qind.
Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 9.78 për qind në terma vjetorë, ndërsa importet e mallrave dhe shërbimeve u zgjeruan me 7.55 për qind.