Murriqan-Lezhë merr formë, projekti 40 kilometra pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të nisë gjatë tetorit konsultimet publike për autostradën Murriqan-Lezhë, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian.
Aksi i ri do të ketë një gjatësi prej 40.3 kilometrash, katër korsi dhe një shpejtësi projektimi prej 120 km/orë.
Projekti do të prezantohet në katër takime publike, ku qytetarët, pronarët e tokave, bizneset dhe palët e tjera të interesuara do të njihen me gjurmën e propozuar, ndikimet mjedisore dhe sociale, si dhe masat e parashikuara për zbutjen e tyre.
Sipas dokumenteve zyrtare, autostrada nis në pikën kufitare të Murriqanit me Malin e Zi dhe përfundon në zonën e Balldrenit, në veri të Lezhës. Gjurma do të kalojë në territoret e bashkive Shkodër, Vau i Dejës dhe Lezhë.
Pesë nyje dhe një urë 480 metra mbi Bunë
Rruga është projektuar si autostradë me katër korsi, dy për secilin drejtim. Projekti parashikon një gjurmë të re, ndërsa lidhja me rrjetin ekzistues rrugor do të realizohet përmes pesë nyjeve në Murriqan, Shkodër, Vau i Dejës, Gjadër dhe Lezhë.
Parashikohet gjithashtu rivendosja e rrugëve lokale, kryesisht atyre që u shërbejnë tokave bujqësore, me qëllim ruajtjen e aksesit në pronat që do të preken nga ndërtimi i autostradës.
Një pjesë e konsiderueshme e aksit është planifikuar të ndërtohet mbi argjinaturë, për shkak të terrenit të sheshtë dhe rrezikut nga përmbytjet në zonat pranë lumenjve Buna dhe Drin. Për kalimin mbi lumin Buna është parashikuar ndërtimi i një ure me gjatësi 480 metra.
Konsultimet publike nisin më 12 tetor
Konsultimet zhvillohen në kuadër të përditësimit të Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor dhe Social. Takimi i parë do të mbahet më 12 tetor, në orën 11:00, në Këshillin Bashkiak Shkodër.
Më 13 tetor janë parashikuar dy takime, i pari në Bashkinë Vau i Dejës në orën 10:00 dhe i dyti në Bashkinë Lezhë në orën 14:00. Konsultimi i fundit do të zhvillohet më 14 tetor, në orën 12:00, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në Tiranë.