Secondary Adv

FSHZH 18 mln euro për pajisjen e bashkive me mjete dhe makineri pune

Dy tenderë me vlerë rreth 1.67 miliardë lekë synojnë pajisjen e bashkive me eskavatorë, kamionë dhe makineri të specializuara.

Një flotë e re eskavatorësh, kamionësh dhe makinerish pune, me vlerë rreth 18 milionë euro, pritet t’u shtohet kapaciteteve të bashkive. Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) ka hapur së fundmi dy procedura prokurimi që kanë si objekt pajisjen e strukturave të shërbimeve publike vendore me makineri dhe mjete operative.


Dy procedurat kanë një vlerë totale prej rreth 1.67 miliardë lekësh. Njëra kontratë, me vlerë rreth 11.8 milionë euro, lidhet me furnizimin me makineri të specializuara, ndërsa kontrata tjetër, me vlerë rreth 6.3 milionë euro, parashikon blerjen e mjeteve operative për bashkitë dhe ndërmarrjet e shërbimeve publike.


Eskavatorë, ngarkues dhe makineri për punimet publike

Paketa e makinerive përfshin pajisje të rënda për punime infrastrukturore, mirëmbajtjen e territorit dhe ndërhyrjet teknike nga strukturat vendore. Në furnizim janë përfshirë eskavatorë hidraulikë me zinxhirë, eskavatorë me goma, eskavatorë me krah të zgjatur “Long-Reach”, fadromë-eskavatorë, rul vibrues, ngarkues me rrota, autobetonierë vetëngarkuese dhe makineri të tjera të specializuara.


Sipas specifikimeve teknike të procedurës, kërkohen eskavatorë hidraulikë me zinxhirë të klasës së peshës operative 22–24 tonë dhe eskavatorë me goma të klasës 17–19 tonë. Parashikohen gjithashtu modele me krah të zgjatur për punime që kërkojnë kapacitet më të madh shtrirjeje.


Lista përfshin edhe fadromë-eskavatorë 4×4, rul vibrues me një cilindër, ngarkues me rrota të klasës 14–16 tonë dhe autobetonierë vetëngarkuese me kapacitet prodhimi betoni prej 3.5–4.7 metra kub. Pajisjet do të përdoren për punime publike, mirëmbajtjen e rrugëve dhe ndërhyrje të tjera teknike në territor.


Kamionë për transportin e makinerive të rënda

Tenderi tjetër parashikon furnizimin me automjete të specializuara për shërbimet publike vendore. Në këtë kategori përfshihen kamionë tërheqës me gjysmërimorkio të tipit “Low Loader”, kamionë të rëndë vetëshkarkues, kamionë me vinç hidraulik dhe mjete për transportin dhe furnizimin me karburant.


Një nga mjetet e kërkuara është kamioni tërheqës 6×4 ose 8×4 me gjysmërimorkio të tipit “Low Loader”, me kapacitet mbajtës të paktën 40 tonë. Ky mjet parashikohet të përdoret për transportin e makinerive të rënda të ndërtimit dhe pajisjeve të tjera operative.


Makineritë duhet të jenë të reja dhe me sisteme monitorimi

Specifikimet teknike kërkojnë që mjetet dhe makineritë të jenë të reja dhe të papërdorura, si dhe të shoqërohen me dokumentacion teknik, garanci dhe shërbime mirëmbajtjeje. Për disa kategori pajisjesh janë parashikuar edhe sisteme GPS dhe telematike për monitorimin e përdorimit dhe funksionimit të tyre.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat