Secondary Adv

72 për qind e financimit të pushtetit vendor për arsimin shkoi për paga personeli në 2025

Financimi për arsimin vendor arriti në 9.38 miliardë lekë, por pjesa më e madhe u përdor për kostot e personelit.

Financimi i transferuar për arsimin parashkollor, parauniversitar dhe konviktet arriti në 9.38 miliardë lekë gjatë vitit 2025, por pjesa dërrmuese e fondeve vijoi të përdorej për personelin. Rreth 72% e financimit iu dedikua personelit mësimor, ndërsa raporti kombëtar për qeverisjen vendore evidenton nevojën për më shumë investime në infrastrukturën arsimore dhe digjitalizim, veçanërisht në bashkitë rurale.


Sipas raportit të Institutit për Bashkitë e Shqipërisë, arsimi mbetet një nga funksionet me peshën më të madhe në transfertat sektoriale që qeveria qendrore u kalon bashkive. Financimi lidhet me numrin e nxënësve, strukturën demografike dhe shtrirjen e institucioneve arsimore, ndërsa bashkitë më të mëdha urbane, si Tirana, Elbasani, Durrësi dhe Vlora, marrin nivelet më të larta të financimit për personelin mësimor dhe stafin mbështetës.


Mbi 87% e fondeve lidhen me personelin

Të dhënat për strukturën e financimit të arsimit vendor tregojnë se 71.91% e fondit lidhet me personelin mësimor dhe 15.22% me stafin mbështetës. Konviktet e arsimit parauniversitar përfaqësojnë 6.11% të financimit, ndërsa arsimi parauniversitar 6.76%.


Sipas raportit, kjo strukturë tregon se financimi mbetet i orientuar kryesisht drejt mbulimit të kostove të personelit dhe funksionimit të institucioneve, dhe më pak drejt zgjerimit të kapaciteteve fizike apo teknologjike të tyre.


Si ndahen fondet për arsimin parashkollor

Një pjesë e financimit të arsimit parashkollor shpërndahet sipas një formule që synon të marrë në konsideratë numrin e fëmijëve. Konkretisht, 60% e fondeve për pagat e edukatoreve ndahet sipas numrit të fëmijëve të regjistruar në kopshte, ndërsa 40% shpërndahet mbi bazën e numrit të edukatoreve që punojnë në këto institucione.


Bashkitë rurale përballen me nevoja të ndryshme

Shpërndarja territoriale e shërbimit arsimor mbetet problem veçanërisht për bashkitë rurale. Raporti evidenton se distancat, shpërndarja e popullsisë dhe infrastruktura e institucioneve arsimore i vendosin këto bashki përballë kostove dhe nevojave të ndryshme nga ato të qendrave të mëdha urbane.


Për këtë arsye, përveç financimit të personelit, Instituti për Bashkitë e Shqipërisë kërkon më shumë investime në infrastrukturën shkollore dhe në digjitalizim, me fokus të veçantë te bashkitë rurale.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat