Secondary Adv

Qendra e Shërbimeve Publike në Palasë dhe Dhërmi, Korporata shtyn sërish afatin

Korporata e Investimeve Shqiptare rihap për 30 ditë procedurën, duke shtyrë afatin e aplikimeve deri më 28 tetor 2026.

Korporata e Investimeve Shqiptare ka rihapur për 30 ditë procedurën për zhvillimin e Qendrës së Shërbimeve Publike në Palasë, duke e shtyrë sërish afatin e aplikimeve, këtë herë deri më 28 tetor 2026. Vendimi argumentohet me “arsye proceduriale”, pa dhënë në njoftimin publik detaje të tjera mbi problematikën që ka çuar në rihapjen e thirrjes.


Ky është ndryshimi i dytë i afatit për procedurën. Fillimisht, kompanitë e interesuara duhej të dorëzonin aplikimet deri më 10 shtator 2026, por në fillim të gushtit afati u shty deri më 25 shtator. Vetëm pak ditë përpara përfundimit të këtij afati, Korporata vijonte t’u kujtonte të interesuarve se aplikimet për projektin mbylleshin më 25 shtator. Pas përfundimit të tij, procedura është rihapur, duke u dhënë kandidatëve një mundësi të re për dorëzimin e aplikimeve deri më 28 tetor.


“Për arsye proceduriale rihapet për një afat 30-ditor thirrja për Qendrën e Shërbimeve Publike në Palasë”, njoftoi Korporata, pa specifikuar nëse shtyrja lidhet me dokumentacionin e procedurës, numrin e aplikimeve të paraqitura apo me një çështje tjetër proceduriale.


Partneri privat do të zhvillojë edhe dy struktura akomoduese

Procedura ndërkombëtare synon përzgjedhjen e një partneri privat, i cili, krahas zhvillimit të Qendrës së Shërbimeve Publike në Palasë, do të projektojë dhe zhvillojë edhe dy struktura akomoduese në prona shtetërore në Palasë dhe Dhërmi. Projekti është shpallur si procedurë me konkurrim publik.


Qendra e Shërbimeve Publike parashikohet të përfshijë ambiente për Stacionin e Policisë Palasë, Policinë Kufitare Dhërmi, shërbimin zjarrfikës për zonën Palasë-Dhërmi, shërbime shëndetësore, Gardën e Republikës, si dhe ambiente pune dhe zyra.


Korporata kërkon të paktën 35% të sipërfaqes së zhvillimit

Modeli financiar i projektit parashikon që zhvilluesi privat të shfrytëzojë pronat shtetërore për strukturat akomoduese, ndërsa një pjesë e zhvillimit t’i kalojë Korporatës. Sipas dokumentacionit të procedurës të publikuar më herët, oferta duhet t’i sigurojë Korporatës të paktën 35% të sipërfaqes totale të zhvillimit të secilës strukturë akomoduese.


Procedura zhvillohet në dy faza. Në fazën e parë, kandidatët paraqesin dokumentacionin e kualifikimit dhe masterplanin për zonën e zhvillimit publik në Palasë. Përzgjedhja e fituesit nuk mbështetet vetëm tek oferta financiare, pasi projekti arkitekturor dhe masterplani duhet të renditen të parët nga juria ndërkombëtare, krahas paraqitjes së ofertës financiare më të favorshme.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat