Sistemim i parkimit, rrugëve dhe qendrës, Bashkia Himarë hap tender për Palasën
Rreth 58.3 milionë lekë pa TVSH parashikohen për rikonstruksionin e rrugës hyrëse dhe qendrës së fshatit Palasë.
Bashkia Himarë ka hapur tenderin me fond limit 58,329,791.7 lekë pa TVSH për rikonstruksionin e rrugës hyrëse dhe qendrës së fshatit Palasë. Investimi është ndarë në dy lote, ku 33,333,333 lekë pa TVSH janë parashikuar për rikonstruksionin e rrugës hyrëse dhe 24,996,458.7 lekë pa TVSH për rikonstruksionin e qendrës së fshatit.
Për lotin e parë, që përfshin rrugën hyrëse, afati i realizimit është shtatë muaj, ndërsa për lotin e dytë, që lidhet me qendrën e Palasës, punimet parashikohen të zgjasin katër muaj.
Parkimi dhe qarkullimi ndër problematikat kryesore
Relacioni teknik i projektit për qendrën e Palasës e lidh ndërhyrjen me problematikat që paraqet aktualisht infrastruktura publike e fshatit, veçanërisht gjatë sezonit turistik. Sipas dokumentit, sipërfaqet e qendrës kanë dëmtime të shtresave, deformime lokale dhe konsumim të materialeve, ndërsa në disa segmente ka mospërputhje të kuotave që vështirësojnë lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve. Organizimi aktual i qarkullimit gjithashtu nuk i përgjigjet fluksit të zonës, sidomos në periudhat kur rritet numri i vizitorëve.
Një nga problematikat kryesore është parkimi. Relacioni vlerëson se hapësirat ekzistuese janë të pamjaftueshme dhe të paorganizuara sipas kritereve bashkëkohore, duke sjellë parkim të çrregullt përgjatë rrugëve dhe hapësirave publike dhe duke vështirësuar qarkullimin. Projekti synon sistemimin e zonave të parkimit dhe riorganizimin e lëvizjes së automjeteve dhe këmbësorëve në qendër.
Rrjet i ri për largimin e ujërave të shiut
Ndërhyrja parashikon edhe përmirësimin e sistemit të largimit të ujërave të shiut. Sipas relacionit, gjatë reshjeve krijohen grumbullime ujërash në disa zona për shkak të mangësive të infrastrukturës ekzistuese. Projekti parashikon ndërtimin e një rrjeti për kanalizimin e ujërave të bardha, me tubacione, zgara dhe elemente të tjera për grumbullimin dhe shkarkimin e ujërave sipërfaqësore.
Ndërhyrja synon të mbrojë rrugët dhe hapësirat publike nga përmbytjet lokale dhe erozioni, duke përmirësuar njëkohësisht funksionimin e infrastrukturës së qendrës së fshatit.
Ndriçim LED dhe ndërhyrje në sigurinë rrugore
Pjesë e projektit do të jetë edhe modernizimi i ndriçimit publik, me rrjet elektrik nëntokësor dhe ndriçues LED, si dhe vendosja e sinjalistikës horizontale dhe vertikale. Dokumenti parashikon ndërhyrje në sipërfaqet e qarkullimit, kalimet e këmbësorëve, elementet e sigurisë rrugore dhe infrastrukturën nëntokësore, duke synuar integrimin e rrjeteve të reja me ato ekzistuese.
Sipas relacionit, Palasa është një zonë me banim gjatë gjithë vitit, por gjatë sezonit turistik regjistron rritje të fortë të numrit të përdoruesve, duke shtuar presionin mbi rrugët, parkimin dhe hapësirat publike. Për këtë arsye, rikualifikimi i qendrës trajtohet jo vetëm si një ndërhyrje infrastrukturore, por edhe si pjesë e përmirësimit të funksionimit të zonës për banorët dhe vizitorët, duke ruajtur karakterin urban dhe arkitektonik të fshatit.