Ndryshon 1/5 e Procedurave Penale, Rama: Jo arrest me burg për veprat me dënim deri në 5 vite
Qeveria propozon kufizimin e paraburgimit dhe ndryshimin e rreth 1/5 së dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.
Qeveria ka propozuar një paketë të re ndryshimesh në Kodin e Procedurës Penale, me fokus te kufizimi i përdorimit të paraburgimit dhe forcimi i garancive për të drejtat e personave në procesin penal. Gjatë prezantimit të paketës, kryeministri Edi Rama deklaroi se në Shqipëri kohëzgjatja mesatare e paraburgimit arrin në 253 ditë, ose më shumë se tetë muaj, ndërsa mesatarja në vendet e Bashkimit Evropian është rreth 155 ditë. Sipas tij, në çështjet që shqyrtohen nga Gjykata e Posaçme, kjo periudhë mund të arrijë në 616 ditë, ose më shumë se një vit e tetë muaj, kundrejt një mesatareje prej rreth pesë muajsh në vendet e BE-së.
Rama solli në vëmendje edhe të dhëna për aksesin e personave të paraburgosur te mbrojtja ligjore. Duke iu referuar një studimi të Prezencës së OSBE-së në Tiranë që prej vitit 2006, ai tha se rreth 41% e të paraburgosurve nuk e kishin takuar mbrojtësin e tyre përpara seancës ku ishte vendosur heqja e lirisë, ndërsa 59% e avokatëve nuk kishin qenë të pranishëm gjatë marrjes në pyetje të klientëve të tyre nga Prokuroria.
Paraburgimi synohet të përdoret si masë e fundit
Sipas prezantimit të kryeministrit, paketa synon që paraburgimi të përdoret si masë e fundit dhe jo si pikënisje e procesit penal. Rama deklaroi se gjykata duhet të shqyrtojë fillimisht masat më të buta, më pas arrestin në shtëpi dhe të vendosë arrestin me burg vetëm kur alternativat e tjera vlerësohen të pamjaftueshme.
Një tjetër problem i evidentuar gjatë prezantimit lidhet me arsyetimin e kërkesave dhe vendimeve për paraburgim. Sipas Ramës, ndryshimet synojnë që rreziku të vlerësohet në mënyrë konkrete dhe individuale dhe që gjykata të kryejë një vlerësim të pavarur, në vend që vendimi të mbështetet në mënyrë automatike tek argumentet e Prokurorisë. Paketa prezantohet nga qeveria si një përpjekje për të afruar praktikën shqiptare me standardet evropiane dhe kërkesat që burojnë nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ndryshimet prekin rreth 1/5 e dispozitave
Sipas kryeministrit, ndërhyrjet e propozuara prekin rreth 1/5 e dispozitave të Kodit të Procedurës Penale dhe lidhen edhe me angazhimet e Shqipërisë në kuadër të Kapitullit 23 të negociatave me Bashkimin Evropian, që përfshin gjyqësorin dhe të drejtat themelore.
“Çdo ushtrim i pushtetit penal duhet të ketë një bazë të qartë në ligj, duhet të jetë proporcional me qëllimin dhe duhet të prodhojë pasoja juridike kur tejkalon kufijtë e vet”, deklaroi Rama gjatë prezantimit të paketës.
Jo arrest me burg për veprat me dënim deri në 5 vite
Një nga ndryshimet kryesore të prezantuara lidhet me kufizimin e masave shtrënguese për veprat penale me dënime më të ulëta. Sipas Ramës, për veprat penale me dënim maksimal deri në tre vjet, si rregull, nuk do të caktohen masa shtrënguese, ndërsa për veprat me dënim maksimal deri në pesë vjet nuk do të aplikohet masa e arrestit me burg. Bëhet fjalë për masën e sigurimit gjatë procesit penal dhe jo për heqjen e dënimit me burg që mund të vendoset pas një vendimi fajësie.
Ndryshimet janë propozime për Kodin e Procedurës Penale dhe, për të hyrë në fuqi, duhet të kalojnë procesin përkatës të miratimit ligjor.