Secondary Adv

Zbardhet skema/ Garanci sovrane 5 mld lekë për bizneset dhe fermerët

Skema mbulon deri në 70% të principalit të kredisë, me financim deri në 200 milionë lekë për huamarrës.

Skema e garancisë sovrane prej 5 miliardë lekësh për financimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme dhe fermerëve është publikuar në Fletoren Zyrtare, pasi më 10 shtator mori autorizimin e Komisionit të Ndihmës Shtetërore. Vendimi nr. 134 autorizon “ex-post” skemën e miratuar më herët nga Këshilli i Ministrave, ndërsa Komisioni ka vlerësuar përputhshmërinë e saj me rregullat për ndihmën shtetërore, duke arritur në përfundimin se masa është e lejueshme.


Skema synon të lehtësojë aksesin në financim për bizneset e vogla dhe të mesme dhe fermerët, përmes garantimit nga shteti të një pjese të kredive që do të jepen nga institucionet financiare pjesëmarrëse. Financimi synon investimet prodhuese, modernizimin teknologjik, transformimin digjital, rritjen e produktivitetit dhe eksporteve, si dhe forcimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.


Shteti garanton deri në 70% të principalit

Fondi total i garancisë është 5 miliardë lekë dhe përfitues mund të jenë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, pavarësisht sektorit ku ushtrojnë aktivitetin ekonomik, si dhe fermerët e regjistruar dhe të pajisur me NIPT fermeri. Për të përfituar, subjektet nuk duhet të kenë detyrime të papaguara ndaj shtetit ose detyrime të prapambetura nga skema të mëparshme të garancisë shtetërore dhe duhet të plotësojnë kriteret e kreditimit të bankave pjesëmarrëse.


Një nga elementet kryesore të skemës është mbulimi nga shteti i deri në 70% të principalit të kredisë së dhënë. Garancia nuk përfshin interesat, kamatëvonesat, penalitetet apo detyrime të tjera monetare.


Kredi deri në 200 milionë lekë dhe afat maksimal 10 vjet

Shuma e financimit do të përcaktohet sipas kërkesës së biznesit dhe vlerësimit të bankës, por totali i huave të garantuara për një huamarrës nuk mund të kalojë 200 milionë lekë. Afati maksimal i financimit është 10 vjet.


Skema përcakton gjithashtu kufij për koston e financimit. Norma e interesit për kreditë e garantuara nuk mund të jetë më e lartë se 2%, ndërsa tarifat që i ngarkohen huamarrësit nuk mund të tejkalojnë në total 0.5% të vlerës së huas. Kredia duhet të ketë një plan të përcaktuar shlyerjeje dhe nuk mund të jepet në formën e një linje krediti.


Aplikimet deri më 20 nëntor 2027

Afati i skemës shtrihet deri më 20 dhjetor 2027. Bizneset dhe fermerët do të mund të aplikojnë për mbështetje deri më 20 nëntor 2027, ndërsa disbursimi i kredive duhet të përfundojë jo më vonë se 20 dhjetor 2027. Komisioni i Ndihmës Shtetërore ka vlerësuar se skema ka efekt nxitës mbi investimet dhe aksesin në financim, lejon llogaritjen paraprake të Ekuivalentit Bruto të Grantit dhe përmban mekanizma monitorimi, raportimi dhe kontrolli.


Vendimi përcakton edhe detyrime për bankat pjesëmarrëse, të cilat duhet të llogarisin paraprakisht Ekuivalentin Bruto të Grantit për çdo garanci individuale dhe t'ia raportojnë Komisionit së bashku me dokumentacionin përkatës. Agjencia për Menaxhimin e Garancive dhe Kredive të Pakthyera duhet të raportojë deri më 31 mars të çdo viti mbi ecurinë e skemës gjatë vitit financiar paraardhës, duke përfshirë numrin e përfituesve, shpërndarjen sipas sektorëve dhe statusin e kredive të garantuara.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat