Dyfisho Sipërmarrjen Tënde, 241 biznese aplikojnë për kreditim me interes 2-3 për qind
Programi ofron kredi deri në 200 milionë lekë, interes 2–3% dhe afat shlyerjeje deri në 10 vite.
Bizneset e vogla dhe të mesme, si edhe fermerët, mund të aplikojnë online në e-Albania për financim me normë interesi 2–3% përmes programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, një skemë e qeverisë në partneritet me Bankën e Shqipërisë dhe 11 bankat e nivelit të dytë.
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu prezantoi ecurinë e programit, i cili synon t'u krijojë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme mundësi financimi për zgjerimin e aktivitetit, blerjen e pajisjeve dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese. Sipas të dhënave të prezantuara, mbi 1,700 biznese kanë shprehur interes për programin, ndërsa 800 prej tyre janë në proces trajtimi.
241 aplikime në dhjetë ditët e para
Në dhjetë ditët e para nga lançimi i platformës, nëpërmjet portalit e-Albania janë regjistruar 241 aplikime. Aktualisht, 222 raste po shqyrtohen nga bankat e nivelit të dytë, ndërsa 20 biznese kanë marrë miratimin për financim me kredi.
“Interesi i sipërmarrësve tregon se bizneset shqiptare duan të investojnë dhe të ecin përpara. Çdo investim i realizuar është një mundësi për rritjen e biznesit, për vende të reja pune dhe për më shumë të ardhura për familjet shqiptare”, theksoi Koçiu.
Linjë financimi 250 milionë euro, me mundësi zgjerimi deri në 1 miliard euro
Për programin është vënë në dispozicion një linjë financimi prej 250 milionë eurosh, me mundësi zgjerimi deri në 1 miliard euro. Sipërmarrjet mund të përfitojnë financim deri në 2 milionë euro, ose deri në 200 milionë lekë, me normë interesi preferenciale 2–3% dhe mbulim nga Garancia Sovrane deri në 70%, sipas kushteve të aplikimit dhe vlerësimit nga bankat.
Afati i shlyerjes së financimit mund të arrijë deri në 10 vite. “Shumë biznese kanë idetë dhe vullnetin për të bërë hapin tjetër, por përballen me vështirësi në sigurimin e financimit. Përmes këtij programi duam t'u japim mundësinë të investojnë, të rriten dhe të krijojnë vende të reja pune”, u shpreh Koçiu.
Aplikimet deri më 20 nëntor 2027
Afati për aplikim në program është deri më 20 nëntor 2027. Bizneset dhe fermerët e interesuar mund të aplikojnë përmes e-Albania, ndërsa në faqen e programit është vënë në dispozicion edhe një kalkulator kredie, i cili mundëson llogaritjen orientuese të pagesës mujore në lekë, bazuar në shumën dhe kushtet e financimit.
Përmes programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, bizneset mund të sigurojnë financim me kushte lehtësuese për investime dhe zgjerim të aktivitetit, me normë interesi 2–3%, kredi deri në 200 milionë lekë dhe afat shlyerjeje deri në 10 vite.